Kërkohet paraburgim për babë e bir që u kapën në flagrancë me kokainë
Babë e bir dje janë arrestuar në Prizren nën dyshimin për shitblerje të narkotikëve.
Gjatë kontrollit, tek të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës narkotike, e llojit kokainë në vlerë rreth 7 mijë.
I dyshuari A. E., ishte arrestuar derisa ishte duke lëvizur me automjetin e tij ndërsa, i dyshuari i dytë B. E., ishte arrestuar në shtëpi.
Ndaj të njëjtëve prokurori i çështjes, Petrit Kryeziu ka kërkuar caktimin e paraburgimit.
Sipas Prokurorisë, A. E., dhe B. E., nga koha e pavërtetuar e deri më datë 30 gusht 2023, përmes rrugëve ilegale nga Shqipëria në Kosovë, pa autorizim dhe me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes transportojnë substance të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë dhe atë të llojit ‘kokainë’.
Tutje thuhet se narkotikun e siguruar përmes rrugëve ilegale e mbajnë të fshehur në shtëpinë e tyre në fshatin Zhur, nga ku fillojnë shitjen në sasi të vogla ndaj personave të ndryshëm në fshatin Zhur dhe në qytetin e Prizrenit.
Gjatë aplikimit të masave hetimore më 30 gusht, i pandehuri A. E., derisa ishte duke drejtuar makinën arrestohet ku dhe i gjenden dy qese najloni me substancë narkotike të llojit kokainë në peshë prej 2.55 gram.
Ndërkaq, gjatë kontrollit të shtëpisë së të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar 45 qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë” me peshë 23.04 gr, 3 qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë” me peshë 52.34 gr, 1 qese najloni e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë” me peshë 1.76 gr, 1 automjet ngjyrë të bardhë, 2 telefona mobil, 1 peshore digjitale, të holla cash 1140 euro, 40 franga zvicerrane, 1 DVR dhe 1 shtëpizë e kompjuterit ngjyrë e zezë.