Arkiv - Nikola Kabashiq. Foto: Kallxo.com

Kryetari i Gjykatës në Mitrovicë u shkruan ambasadorëve për taksën doganore

Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabashiq, u ka shkruar letër ambasadorëve në Kosovë dhe shefave të misioneve ndërkombëtare që ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre për të ndikuar te institucionet e Kosovës që ta ndryshojnë qëndrimin “në mënyrë që situata në Kosovë të normalizohet” dhe që ata “ta kthejnë besimin te banorët serbë”.

RTS raporton se punëtorët e gjykatës në veri të Mitrovicës kanë ndërprerë punën sot në mëngjes në shenjë solidarizimi me qytetarët të cilët po protestojnë në katër komunat e veriut të Kosovës.

Në letrën e kryetarit të gjykatës thuhet se javën e fundit, vendimi i qeverisë së Kosovës për të vënë embargo ndaj produkteve serbe “jo vetëm që ka përkeqësuar të drejtat e njeriut por ka vënë në pyetje edhe ekzistencën e popullit serb në tërë Kosovën”.

“pasojat e kësaj embargoje janë ndalimi i plotë i produkteve ushqimore, barnave dhe materialeve tjera shëndetësore, ndalimi i manifestimeve sportive dhe ndalimi i transportit të gazetave dhe librave në gjuhën serbe”, thuhet në këtë letër, transmeton RTS.

“Letra jonë është protestë kundër shkeljes së të drejtave themelore të njeriut ndaj serbëve në Kosovë. Si gjykatës, jemi të vetëdijshëm për rolin tonë si rojtarë të sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Detyra dhe përgjegjësia jonë është që t’i mbrojmë këto parime, pa marrë parasysh se në cilin sistem punojmë. Si gjykatës të integruar për më shumë se një vit në sistemin gjyqësor të Kosovës detyra jonë është që ta respektojmë të drejtën qoftë kombëtare qoftë ndërkombëtare për t’i mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në letër.