Sindikata e akuzon drejtorin e RTK-së për kërcënim me masa ndëshkuese, Ahmetxhekaj e mohon

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës ka thënë se kryetari i saj, Fadil Hoxha, është kërcënuar me masa ndëshkuese nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, për shkak se i njëjti në kohën kur është bërë një inspektim në zyre, nuk ka qenë i pranishëm.

“Sot në ora 10:53, në kohën kur Kryesia e Sindikatës mbante takim, në e-mailin zyrtar të kryetarit të Sindikatës, Fadil B. Hoxha ka ardhur një letër nga drejtori gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj dhe Udhëheqësi i Shërbimeve të Përbashkëta, Alban Fetahu ku kërcënohet kryetari i Sindikatës me masa ndëshkuese për shkak se gjatë inspektimit në zyrën e tij në ora 09:13 ai nuk ka qenë në zyre” – thuhet në reagimin e Sindikatës.

Madje, ata e kanë quajtur këtë inspektim tendencioz dhe të panevojshëm.

“Këtë veprim skandaloz, të paparë në vendet demokratike të organizimeve sindikale, kryesia e SPRTK-së e sheh si kërcënim direkt ndaj aktivitetit sindikal me qëllim të shuarjes së tij dhe çdo zëri kritik në Transmetuesin Publik” – vijon njoftimi.

“Ky veprim është keqpërdorim me të punësuarin e RTK-së  në administratë  duke e detyruar atë që ta luajë rolin e policit hetues nëpër ambientet e punës” – vlerëson SPRTK.

Rastin, siç thuhet në njoftim, kjo Sindikatë e ka paraqitur edhe në Policinë e Kosovës.

Por, këto pretendime të Sindikatës i ka mohuar drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ai në një përgjigje për KALLXO.com tha se kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së është mirë të tregojë pse nuk ka qenë në vend pune gjatë ditës së sotme.

“SPRTK-ja ka bërë deklarim të pavërtetë. Drejtori i Përgjithshëm nuk ka dërguar asnjë email dhe asnjë kërcënim në adresë të askujt. Sidoqoftë, është obligim i secilit udhëheqës njësie në RTK që të mbikëqyr mbarëvajtjen dhe prezencën e stafit në punë, ashtu siç është e përcaktuar me kontratat e tyre të punës” – thuhet në përgjigjen e Ahmetxhekajt.

“Megjithatë, është e habitshme se si i apostrofuari nuk ka dhënë sqarim për mungesën e tij në vendin e punës, por e shfrytëzon pozicionin si kryetar sindikate për të inskenuar situata të paqena” – ka thënë ai.

Në anën tjetër, Sindikata e Pavarur e RTK-së ka kërkuar që Bordi të distancohet nga rasti.

“Për ketë veprim do të informohen organizatat sindikale të rajonit dhe të BE-së. Kryesia e SPRTK-së kërkon nga Bordi i RTK-së që të distancohet nga ky veprim i ulët dhe dy të apostrofuarit e lartcekur  t’i thërras në përgjegjësi” – thuhet në njoftimin e Sindikatës.