Pasioni për ambientin e shtyri të hapte biznes për riciklimin e letrës

Faik Haliti është një ambientalist nga komuna e Podujevës që pasionin e tij për ambientin e ka shndërruar në biznes.

Ai që nga viti 2014 ka hapur kompaninë ‘Natyra’ në komunën e Podujevës, që merret me trajtimin e mbeturinave.

Por, përveç trajtimit të mbeturinave, kjo kompani që nga viti 2017 ka filluar edhe me riciklimin e tyre, konkretisht me ricikilimin e mbeturinave të letrës.

Haliti, për KALLXO.com, thotë se e ka parë shumë të nevojshme që në komunën e tij, të fillojë me mbledhjen dhe riciklimin e mbeturinave.

“Ideja fillestare, duke u nisur prej asaj që ne kemi jetu në një fshat 12 kilometra nga Podujeva, edhe nuk kemi pasur qasje në shërbimin e mbeturinave, kështu që me shërbimin tonë se ne duhet ta kemi si cdo qytetar, edhe e kemi pa se Podujeva ka nevojë edhe për një kompani që e bën grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave”, ka thënë Haliti.

Ai ka jetuar për një kohë në shtetin e Suedisë dhe që nga atje, bashkë me tre shqiptarë të tjerë të Kosovës, janë kthyer në Kosovë dhe kanë investuar në hapjen e kompanisë.

“Duke e pa që në Kosovë mbeturina është një çështje ende e pazgjidhur, edhe duke e parë një nevojë shumë të madhe që çdo qytetar I Kosovës, pikërisht i viseve rurale, po flas në komuën e Podujevës, ka të drejtë për këtë shërbim, edhe ajo na ka shty që me ardhë dhe me investu”, tha ai.

“Në kompani për momentin jemi 14 të punësuar, ndërsa për momentin operojmë në 15 fshatra, duke i përfshirë edhe bizneset e qytetit të Podujevës, bizneset kryesore dhe më të mëdhaja”, tregon tutje Haliti.

Ai ka thënë se ka marrëveshje me disa biznese në Podujevë, ku kompania e tij merr mbeturinat dhe mbetjet e letrës, të cilat më pas riciklohen.

“Produktin që e riciklojmë, që për momentin është kryesisht paketë apo letër, edhe plastikë, në fabrikën tonë ku gjindemi për momentin, e embalojmë dhe e bëjmë të gatshme për eksport. Janë kompani të licencuara që e kanë të drejtën për eksport edhe shkon tutje për eksport. Shkon në vende të ndryshme të Evropës, shkon në Bosnje një sasi e madhe, shkon në Turqi. Kshtu që këtu përgatitet dhe prej këtu është e gatshme për transport, po flasim për paketë apo letër”, thotë Haliti.

Sipas tij, prej që e ka hapur kompaninë në vitin 2014, asnjëherë nuk ka pasur përkrahje nga Komuna e Podujevës, apo nga Ministria e Ambientit.

“Përkrahje nuk kemi pasur, as financiare, me keqardhje mundemi me thonë që kemi pasur edhe pengesa sidomos në punë. Tani me kohën kemi filluar me 400 klientë, kemi arrit me I bo 3 mijë e 700 ekonomi familjare, prej atyre me ndërhyrjen e komunës na u kanë cënuar dhe na u kanë sjellur 400 klientë. Kemi arritur në 1500 klientë, por operojmë vetëm në 15 fshatra, të cilat na i ka caktuar komuna e Podujevës”, thotë Haliti.

Kosova, që nga viti 2017 ka eksportuar mbi 78 milionë kilogram letër, në vlerë totale prej 8 milionë e 481 mijë eurove.