Kryetari i Deçanit, flet për incidentin në zbulimin e shtatores së Beg Rizajt

“Vëllau i Beg Rizajt kishte problem me vëllezërit e tij, jo me kryeministrin”, ka thënë Ramosaj për KALLXO.com.

Kreu i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka treguar për KALLXO.com versionin e tij se cfarë ka ndodhur gjatë ceremonisë së zbulimit të shtatores së Beg Rizajt. Sipas tij, Ailu [vëllau i Beg Rizajt] ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj që t’i largoj vëllezërit e tij të tjerë nga aty, ngase ata nuk kanë qenë në luftë dhe nuk duhej ta zbulonin shtatoren e vëllaut të vdekur. Madje ai nuk ka lejuar që shtatoren ta zbuloj as djali i Beg Rizës.

“Gjatë zbulimit të shtatores, njëri nga vëllezërit e Beg Rizajt [Aliu] ka qenë në konflikt me dy vëllezërit tjerë [Ramizin dhe Hakiun], të cilët nuk ka desht me marrë pjesë në zbulimin e shtatores”, tha Ramosaj.

Sipas tij konflikti ishte mes vëllezërve Rizaj, jo me kryeministrin Ramush Haradianj, dhe se ky i fundit ka ndërhyrë në këtë ngjarje.

“Ka qenë një konflikt me vëllezërit e vet dhe ka kërkuar nga kryeministri që dy vëllaznit e tij që ishin prezent aty, vëllai i madh [Ramizi] dhe vllau ma i vogël [Hakiu] mos me marr pjesë në zbulimin e shtatores për shkak që i ka akuzu se nuk kanë qenë në luftë”, tregon ai.

Ramosaj thotë se e ka akuzuar edhe atë si organizator.

“Njëkohësisht ai m’ka thonë edhe mu, që si oraganizator i kësaj ngjarje u desht me ditë që ata nuk kanë qenë në luftë dhe nuk bon me zbulu shtatoren”, tha ai.

I pyetur nëse kanë pas ftesë familja, ai thotë se ata kanë pasur ftesë dhe se shtatoren ka qenë e planifikuar ta zbuloj djali i Beg Rizës.

“Po kanë pasë ftesë familja dhe janë marr vesh që zbulimin me bo djali i Begut, mirëpo ai [Aliu] s’është pajtu që me bo as djali e as vllaznit [tjerë], por me bo vet, se me demek që ai e ka financu për luftë, ai e ka udhëheqë, ai e ka përcjellë për luftë dhe është kujdes për luftë”, ka treguar Ramosaj.

Ai tha se kryeministri i ka dhënë të drejtën vetëm vëllaut, Aliut, ta zbuloj shtatoren.

“Ramushi e ka marr Aliun me veti, i ka thanë “ti ki me zbulu” edhe ja ka jep të drejtën që vetëm ai me zbulu dhe ata dy vllaznit tjerë i tërhek ma anej”, tha Ramosaj.

https://kallxo.com/zbulohet-shtatorja-e-beg-rizajt-vellau-i-tij-perplaset-me-kryeministrin/