Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Kryeministri më Pak Para në Bankë

Dje Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) bëri publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.

Në mesin e zyrtarëve të lartë që kanë bërë deklarimin e pasurisë është edhe Kryeministri Isa Mustafa.

Bazuar në deklarimin e pasurisë 2016, Mustafa ka pasuri rreth 681 mijë e 899 euro. Por deklarimi i pasurisë i një viti më parë kishte vlerë rreth 687 mijë e 687 euro që nënkupton zvogëlim të pasurisë për 5 mijë e 788 euro.

Sipas formularit të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, pasuria e paluajtshme e Kryeministri Mustafa kap vlerën 503 mijë euro, vlerë e njëjtë me deklarimin e vitit 2015.

Ndryshim nuk ka as në deklarimin e posedimit të aksioneve. Mustafa ka deklaruar se posedon aksione në Riinvest në vlerë 80 mijë euro apo 16 për qind të aksioneve.

Kryeministri ka deklaruar në AKK para të gatshme të mbajtura në institucione financiare gjithsej 52 mijë e 626 euro për dallim nga deklarimi i vitit 2015 kur kishte shkruar se ka 72 mijë e 969 euro, që i bie 20 mijë e 343 euro më pak.

Për dallim nga posedimi më pak i parave të gatshme të deklaruara në institucionet financiare, të hyrat vjetore të Kryeministrit janë më të larta se në deklarimin e vitit paraprak.

Vlera e të hyrave vjetore të deklaruara sivjet është 46 mijë e 273 euro, ose 14 mijë e 555 euro më shumë se vjet. Vitin e kaluar Mustafa kishte deklaruar të hyra prej 31 mijë e 718 eurove.

http://kallxo.com/te-rinj-dhe-milionere-qeveria-e-kosoves-ne-analize/