Isa Mustafa takon strukturat e LDK-së së Pejës - Foto: KALLXO.com

Kryeministri Diskuton me LDK-në e Pejës për Demarkacionin

Zyrtarë të lartë të LDK-së, të prirë nga kryeministri Isa Mustafa, kanë zhvilluar sot një takim me strukturat e partisë në Pejë.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në një prononcim për KALLXO.com tha se tema kryesore e këtij takimi ka qenë çështja e demarkacionit.

Sipas Muhaxherit ishte një takim ku u trajtua edhe një herë çështja e kufirit, ku u diskutua mundësia që të kërkohen argumente ose prova shtesë, në mënyrë që edhe deputetët edhe Qeveria të marrin vendimin e duhur “kur të vijë koha”.

Po ashtu, i pari i LDK-së së Pejës tha për KALLXO.com se në këtë takim kanë dalë shumë ide të mira, që të diskutohet me disa persona, që të shihet mundësia që të kontrollohet se kur janë vendosur shtyllat e largpërçuesit, kur është bërë eksproproimi, dhe disa gjëra të tjera, për të parë edhe një herë nëse ka ndonjë argument që mund të jetë pro ndryshimit të vijës ekzistuese apo vija është e shënuar ashtu siç duhet dhe nuk ka argument për ta shtyrë më tutje këtë debat që ka zgjatur shumë.

Kryeministri Mustafa nuk është prononcuar pas mbledhjes që ka zgjatur mbi dy orë.

Pas takimit, kryeministri, i shoqëruar nga kryetari i Pejës dhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala, kanë pirë kafe me deputetin e pavarur të Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Mbledhja e strukturave të LDK-së, e cila ka qenë e mbyllur për mediat, është mbajtur në hotel “Dukagjini”.