Paraqitja e raportit rreth perceptimeve të radikalizmit | Foto: KALLXO.com

Kosova Shënon Progres në Luftimin e Radikalizmit

Zëvendëspërfaqësuesja e UNDP-së në Kosovë ka thënë se vendi ka shënuar progres në luftimin e radikalizmit.

“Kosova ka shënuar progres në këtë aspekt a pasur shumë gjëra që kanë ndodhur…”, tha Alessandra Roccasalvo.

Ajo gjithashtu tha se radikalizmi nuk është problem vetëm në Kosovë por në tërë botën.

“Radikalizmi nuk është problem i Kosovës por i gjithë botës…Është një çështje që shumë nga fqinjët tanë janë duke e luftuar, por edhe shumë shoqëri të tjera nëpër botë” tha Roccasalvo.

Ndërsa Skender Hyseni, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme  ka thënë se Kosova ka shënuar rezultate në luftimin e radikalizmit.

“Republika e Kosovës ka shënuar rezultate, për rrethanat në të cilat jemi do të thoja unë spektakulare në luftimin e radikalizmit, ekstremizmit të dhunëshëm dhe terrorizmit”, tha Hyseni.

Ai deklaroi më pas se suksesi nuk do të mund të arrihej pa përkrahjen e ndërkombëtarëve.

Mirëpo po ashtu në krye të radhës dua ta theksoj që të gjithë këtë sukses nuk do të ishim në gjendje ta arrinim pa përkrahjen e pafundme gjeneroze qoftë të Shteteve të Bashkuara dhe shumë shteteve të tjera dhe natyrisht pa mbështetjen gjeneroze të UNDP-së dhe përkrahësve të tjerë ndërkombëtarë” tha Hyseni.

Ai gjithashtu tha se Kosova është vend sekularist, vlerë të cilën duhet ta ruajë me çdo kusht.

“Kosova me Kushtetutë është definuar si shtet sekular dhe është interesi jetik afatgjatë i qytetarëve të Republikës së Kosovës që sekularizmin ta kultivojmë, ta promovojmë si vlerë fundamentale të shoqërisë së Kosovës”, tha Hyseni.

Hyseni më tutje shpjegoi edhe sekularizmin.

“Të jesh sekularist do të thotë t’ia njohësh të drejtën secilit të ushtrojë çfarëdo feje që do… të respektosh pafundësisht harmoninë ndërfetare, harmoninë ndëretnike dhe pasuritë ndërkulturore”, sqaroi Hyseni.

Hyseni gjithashtu bëri thirrje që UNDP-ja të përkrahë vendin edhe në fusha të tjera.

“Ju bëj thirrje të përkrahni Republikën e Kosovës në këtë fushë si dhe në fushat tjera” kërkoi Hyseni.

Gjatë prezantimit të raportit të MPB-së për perceprtimin e radikalizmit është bërë e ditur se 47 për qind e kosovarëve besojnë që vendi ku mund të radikalizohen kosovarët janë xhamitë dhe medresetë.

Ndërsa vendet ku janë radikalizuar më shumë kosovarët janë qytetet Kaçanik, Mitrovicë, Vushtrri, Gjilan, Han i Elezit dhe Ferizaj.

Po ashtu në të gjeturat e hulumtimit thuhet se  67 për qind nga të anketuarit do të ishin të gatshëm që të raportojnë rastet e radikalizmit në një linjë anonime telefonike.

Në prill të këtij viti MPB-ja me UNDP-në dhe Komunën e Gjilanit kishte nënshkruar memorandum për luftimin e radikalizmit.

http://kallxo.com/komuna-e-gjilanit-dhe-mpb-bashke-ne-luften-kunder-ekstremizmit/