Konferenca kundër korrupsionit | Foto: KALLXO.com

Korrupsioni po Ngulfat Zhvillimin Ekonomik të Kosovës

Në konferencën e organizuar nga Ambasada e Gjermanisë dhe GIZ-i gjerman që kishte për temë luftimin e korrupsionit përmes dialogut publiko-privat, ambasadorja Angelika Viets theksoi se korrupsioni është pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Korrupsioni është pengesë për zhvillimin ekonomik në vend, ai mbizotëron shumë në sektorin privat, sipas disa studimeve që i bën Oda Ekonomike e Kosovës janë më se 300 kompani private në vitin 2014, pra 34 për qind e tyre që kanë deklaruar se korrupsioni përbën një prej pengesave kryesore të përditshme në afarizimin e tyre,” tha Veits.

Sipas ambasadores korrupsioni po i pengon edhe investimet e huaja.

“Studimi tjetër që është bërë me investitorët e huaj që është publikuar në vitin 2016 shpalos që korrupsioni konsiderohet të jetë një prej pesë pengesave të të bërit biznes në Kosovë,” tha Viets

Drejtori i GIZ-it për Kosovën James Macbeth Forbes theksoi se pjesëmarrja kaq e vogël e qytetarëve në debate për korrupsion e bëjnë atë të mendoj se ata kanë hequr dorë nga luftimin e kësaj dukurie.

“Unë nuk do të përqendrohem të ju tregoj se sa i keq është korrupsioni dhe sa keq ndikon qoftë në jetën publike, ashtu edhe në atë private, sepse do e diskutojmë bashkërisht me të gjithë panelistët, por ajo që dua të theksoj është se nëse kjo çështje po duket më shumë vetëm si teorike dhe duke e parë se nuk ka shumë pjesëmarrës në këtë konferencë kam filluar ta pyes veten a ka hequr dorë Kosova, a kanë hequr dorë qytetarët e Kosovës nga luftimi i korrupsionit,” tha Forbes .

Prokurori i shtetit Besim Kelmendi theksoi se për ta parandaluar korrupsionin prokurorët duhet të komunikojnë me biznesmenët për ta kuptuar se ata japin para për të fituar tenderë.

“Në një takim që kishim më herët me Ambasadorin Amerikan dhe njerëzit që merrnin pjesë në Odën Ekonomike Amerikane, një pyetje interesante ishte se çka kërkon prokurori në mesin e këtyre biznesmenëve. U mundova ta shpjegoj se sikur të mos ishin bizneset e fuqishme ose edhe ato të mesme dhe të ulëta që japin ryshfet kur për të fituar një tender duhet të jepet një përqindje e caktuar për zyrtarët e institucioneve, atëherë është e pashmangshme që një prokuror të jetë në mesin e bizneseve për të dialoguar se si të parandalohet korrupsioni,” tha Kelmendi.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit Shaip Havolli u bëri thirrje bizneseve që bashkërisht ta luftojnë korrupsionin duke u bërë më transparentë dhe me kohë të paraqesin keqpërdorimet në prokurimin publik.

“Gjatë kësaj periudhe AKK-ja ka monitoruar një mori të aktiviteteve të prokurimit publik, kemi hasur shkelje të shumta të ligjit të prokurimit që vijnë nga vetë autoritetet kontraktuese dhe një pjesë e madhe e shkeljeve vjen nga bizneset, domethënë qysh në fillim vërehen ato raportet e fshehta publiko-private, kështu që i ftoj bizneset të jenë më të sinqerta, më transparente dhe me kohë ta raportojnë rastin për ta luftuar korrupsionin bashkërisht,” tha Havolli.

Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu si çështje e ngriti prokurimin elektronik duke theksuar se ishte habitur kur kompania e cila e ka dizajnuar e-prokurimin ka treguar se si ka pasur pyetje nga zyrtarët se si të shkatërrohet sistemi.

“Ne po flasim për një sistem transparent në prokurimin publik dhe po e presim këtë nga e-prokurimi, por nga ajo që kam dëgjuar nga kompania softverike e cila e ka dizajnuar këtë platformë, ka qenë e çuditshme, ata kanë thënë se përderisa në shtetet tjera gjatë prezantimit të platformës kemi pasur pyetje si ta implementojmë dhe ta avancojmë më shpejt prokurimin elektronik, në Kosovë kemi pasur pyetje si ta bllokojmë e ta prishim këtë platformë, e kjo është mjaft shqetësuese,” tha Gërxhaliu.

Në konferencë pati diskutime edhe nga shoqëria civile dhe bizneset të cilët ngritën shqetësimet e tyre dhe përmes shembujve nga terreni theksuan se korrupsioni nuk po luftohet sa duhet.