Lansohet fushata informuese për liberalizimin e vizave
Qeveria e Kosovës dhe GIZ-i gjerman kanë lansuar sot fushatën informuese për liberalizimin e vizave.
Fushata do t’i informojë qytetarët e Kosovës për detaje mbi lëvizjen e lirë pa viza që do nisë nga 1 janari i vitit 2024.
Në hapjen e kësaj fushate, kryeministri Albin Kurti tha se tashmë kanë “mbajtur takime me hisedarë të ndryshëm, duke përfshirë komunat e Republikës, komunitetet e vendit tonë dhe Odën e Turizmit për t’ua shpjeguar rregullat lidhur me liberalizimin e vizave”.
Kurti ndër të tjera tha ndonëse liberalizimi i vizave nënkupton lëvizje të lirë, megjithatë ka disa rregulla.
“Liberalizimi edhe pse do të thotë lëvizje e lirë, megjithatë duhet të kemi kujdes sepse përmban rregulla, duhet të keni pasaportë, mund të udhëtoni vetëm 90 ditë brenda 180 ditëve, dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, ku do të qëndroni, mjete të mjaftueshme financiare dhe biletë kthyese”- tha ai.
Qytetarët që kanë pasaporta të Kosovës se duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtër.
Sipas njoftimit të ambasadës gjermane, udhëtimi pa viza nuk mundëson të punoni në Zonën Shengen.
Ambasada e Gjermanisë: Nga 1 janari mund të udhëtoni pa viza