Spitali i Ushtrisë gjermane në Parkun e Inovacionit në Prizren ofrohet për shfrytëzim

Spitali Ushtarak i Ushtrisë gjermane, i cili gjendet të Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren është duke u ofruar për shfrytëzim për palët e interesuara.

Sipas njoftimit që ka bërë Parku i Inovacionit dhe Trajnimit, ky spital ka hapësirë prej 3 mijë 733 metra katrorë.

Ky spital është ndërtuar në vitin 2010 dhe ka infrastrukturë moderne mjekësore.

Ambientet mjekësore të disponueshme të spitalit përfshijnë 3 salla operative, një njësi të terapisë intensive (ICU) me 8 shtretër dhe 2 dhoma shoku, dhoma për laboratorë dhe diagnostikim me rreze X dhe dhoma të tjera funksionale.

Një repart pacientësh i përshtatshëm për deri në 32 shtretër është ngjitur në ndërtesën kryesore të spitalit. Për më tepër, janë në dispozicion 5 shtretër për urgjencë dhe 8 shtretër të njësisë intensive.

Pajisjet mjekësore fikse janë në dispozicion dhe mund të përdoren, ndërkohë që nuk ka më pajisje mjekësore të lëvizshme. Sistemi teknik dhe mjekësor i gazit si dhe pajisjet fikse mjekësore janë plotësisht funksionale dhe në gjendje të mirë.

Lidhur me këtë, Parku i Inovacionit në Prizren kërkon palë të interesuara apo konsorcium palësh nga sektori i shëndetësisë për qira afatgjatë të spitalit për përdorim të përshtatshëm.

Ky park është ish-kamp ushtarak gjerman që ishte pjesë e misionit paqeruajtës ndërkombëtar të Forcave të Kosovës (KFOR).

Sipërfaqja e tërësishme e këtij parku është 420,000 metra katrorë dhe ka dhënë shërbime shëndetësore për 3,800 ushtarë gjermanë të kampit.

Mirëmbajtja gjashtëmujore e objekteve teknike aktualisht kryhet në mënyrë rutinore duke marrë parasysh standardet dhe kërkesat gjermane.

Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP) është një projekt i përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Qeveria e Kosovës i ka dhënë në shfrytëzim këto hapësira shoqatës “ITP Prizren”, ndërsa GIZ do ta bëjë menaxhimin dhe zhvillimin e Parkut.

Lidhur me këtë, ITP Prizren kërkon palë të interesuara apo konsorcium palësh nga sektori i shëndetësisë për qira afatgjatë të spitalit për përdorim të përshtatshëm.

Informacione dhe materiale të mëtejshme në lidhje me objektet spitalore (materiali vizual, planet e ndërtesave, listat e pajisjeve fikse, etj.) mund të sigurohen sipas kërkesës në e-mail.