Kontrabandimi me migrantë, i dëmtuari: Deklarata ime në Polici është keqinterpretuar

Në Gjykatën e Gjilanit është mbajtur seancë në rastin e Isak Verbocit, i cili po akuzohet për veprën penale kontrabandim me migrantë e mbetur në tentativë.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 09.01.2015, kur i akuzuari ka tentuar t’i dërgojë të dëmtuarit Gazmend Behrami dhe Ramadan Miftari në Suboticë, për një pagesë prej 250 euro për secilin.

Megjithatë, sipas aktakuzës, vepra ka mbetur në tentativë pasi që të njëjtit në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” u hetuan nga Policia Kufitare dhe u ndaluan për kontrollim.

Duhet të theksohet se këtë lëndë Gjykata Supreme, me përbërje të kryetares së trupit gjykues Valdete Daka dhe gjyqtarëve Nesrin Lushta dhe Agim Maliqi, e ka kthyer për rivendosje në Gjykatën e Gjilanit, duke i anuluar kështu aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës së Gjilanit dhe Gjykatës së Apelit.

Gjykata Supreme kishte vendosur për rivendosje në bazë të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit Isak Verboci, duke u bazuar në shkeljen e procedurës penale, vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal.

Në shqyrtimin e sotëm në fazën e procedimit të provave, para trupit gjykues të përbërë nga kryetari Zyhdi Haziri dhe gjyqtarët Naser Maliqi dhe Islam Thaqi, i dëmtuari Ramadan Miftari dha deklaratën e tij.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Isuf Sadiku, i dëmtuari Miftari tha se u qëndron deklaratave të dhëna në Polici në datën 10.01.2015 dhe në Gjykatë më 18.05.2018.

Gjithashtu, i dëmtuari përsëriti se në Polici kishte deklaruar që me të dëmtuarin tjetër, Gazmend Behrami, të cilin e ka djalë të hallës, ditën kur supozohet kryerja e veprës penale, ishin nisur drejt shteteve të Bashkimit Europian dhe se të akuzuarit i kishin paguar shumën prej 500 euro për t’i dërguar deri në Suboticë që të dy.

Ndërsa, në pyetjet e mbrojtësit, avokatit Afrim Salihu, i dëmtuari Ramadan Miftari u deklarua se me të akuzuarin janë marrë vesh të shkojnë së bashku vetëm deri në Suboticë dhe jo më tutje.

Trupi gjykues e pyeti të dëmtuarin Ramadan Miftari nëse i akuzuari ua kishte kërkuar shumën prej 250 euro të dëmtuarve.

Për këtë i dëmtuari tha se ai 250 euro ia ka dhënë të dëmtuarit tjetër dhe se i akuzuari nuk i ka kërkuar këto të holla.

Marrëveshjen me të akuzuarin, sipas tij, për këto të holla e ka bërë Mustafë Behrami, babai i të dëmtuarit tjetër, Gazmend Behramit.

Për shkak të paqartësisë së deklaratës së të dëmtuarit Ramadan Miftari, trupi gjykues e ballafaqoi të dëmtuarin me deklaratën e tij në Polici, në të cilën kishte deklaruar se i akuzuari ka kërkuar shumën prej 250 euro për secilin të dëmtuar për t’i dërguar në Suboticë.

I dëmtuari tha se deklarata është keqinterpretuar edhe pse ai e konfirmoi se e ka nënshkruar deklaratën.

Ndërsa, i dëmtuari tjetër Gazmend Behrami, nuk ishte në shqyrtim gjyqësor pasi që nuk është në Kosovë dhe për shkak të pamundësisë së sjelljes së tij në procedurë, trupi gjykues vendosi për të lexuar deklaratën e tij në Polici, të datës 10.01.2015.

I dëmtuari kishte deklaruar në Polici se ai nuk ka bërë marrëveshje me të akuzuarin, por këtë marrëveshje e kishte bërë babai i tij, Mustafë Behrami.

Pas leximit të deklaratës së të dëmtuarit Gazmend Behrami, mbrojtja kërkoi që të ftohet për të dëshmuar Mustafë Behrami, babai i të dëmtuarit Gazmend Behrami.

Gjykata me aktvendim e vendosi që të pranohet propozimi i mbrojtjes dhe në seancën e radhës për këtë çështje do të procedohet deklarata e Mustafë Behramit.