Konjufca për Mustafën-Vetëm Dorëheqje

“Ky person nuk do të ketë rrugëdalje përveç dorëheqjes. Çështja është se çfarë çmimi do ta detyrojë Kosovën që të paguajë ky person i etur për pushtet,” tha Konjufca kur foli për KALLXO.com.

Dorëheqja e Mustafës dhe qeverisë së tij u kërkua edhe në protestën opozitare të 9 janarit, por Mustafa pardje derisa nderonte ish-veprimtarin e LDK-së Enver Maloku në 17 vjetorin e vrasjes, tha se qeverisja e tij do të vazhdonte deri në vitn 2018.

http://kallxo.com/mustafa-qeverisje-deri-ne-2018-en/

I pyetur për këtë, Konjufca tha se Mustafa edhe në një rast tjetër thoshte se nuk do ta shkarkonte një ministër të tij. “Isa Mustafa kësisoj pat deklaruar edhe para shkarkimit të Jabllanoviqit,” tha Konjufca.

Më 6 janar të vitit të kaluar ish-ministri Jabllanoviq, protestuesit në Gjakovë kundër pelegrinëve serbë që kishin ardhur ta vizitojnë kishën ortodokse serbe në këtë qytet, i quajti egërsira. Kjo shkaktoi një valë protestash që detyruan Mustafën ta shkarkojë Jabllanoviqin më 3 shkurt.

Konjufca foli edhe për faktorët që ndikuan në vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth parimeve të marrëveshjes për asociacionin të bërë publik më 23 dhjetor 2015.

“Presioni qytetar ka qenë aq i madh sa që nuk ka pasur kuptim të kishte një vendim në favor të ‘zajednicës’ dhe ‘zajednica’ është aq e keqe, aq e dëmshme dhe aq shumë në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës sa që çdo vendim tjetër do të ishte tepër absurd,” tha Konjufca.

Por deputeti i VV-së dhe nënkryetari i Kuvendit nuk e lavdëroi kushtetuesen. Tha se ajo nuk është e pavarur.

“Gjykata Kushtetuese nuk e ka marrë vendimin e saj sepse është gjykatë e pavarur. Ne megjithatë mendojmë që sikur Gjykata Kushtetuese të ishte e pavarur, vendimi do të ishte edhe më i mirë se ky që është,” tha Konjufca.

Konjufca ishte në dilemë se a ka ndikuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pjesëmarrje më masive në protestën e 9 janarit.

“Ne nuk mund ta dijmë këtë, por fakti që çdo argument i opozitës në lidhje me ‘zajednicën’ u vërtetua, si dhe pakënaqësia qytetare me veprimet e qeverisë, i ka bërë qytetarët që të na bashkohen masivisht,” tha Konjufca.

Ai ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak, si i dyshuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, punën e të cilit opozita po mundohet ta pengojë që nga nisja e sesionit vjeshtor në shtator 2015.

Opozita gjatë katër muajve të vitit që shkoi kërkoi tërheqjen e qeverisë nga nënshkrimet e marrëveshjeve për asociacionin dhe demarkacionin të nënshkruara në Bruksel e Vjenë më 25 e 26 gusht.

Përveç nën dyshimet për gaz lotsjellës, Konjufca me 26 aktivistë tjerë të “Vetëvendosjes” është duke u gjykuar për dëmtimin e makinave të EULEX-it në vitin 2009. Ai për këtë gjykim u soll të hënën nga policia në gjykatë.

Atë ditë tha se qeveria është duke e persekutuar opozitën.

http://kallxo.com/konjufca-shpjegon-mospranine-e-aktivisteve-ne-seance/