Ministri Kujtim Shala dhe kryetari i Podujevës, Agim Veliu - Foto: MKRS

Komunës së Podujevës 55 Mijë Euro Subvencion

Komuna e Podujevës ka fituar 55 mijë euro subvencion nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për ndërtimin e fushave sportive.

Ministria njofton se ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Podujevës.

MKRS do ta mbështetë financiarisht projektin për ndërtimin e fushave sportive në fshatin Kërpimeh me rrethinë dhe mbulimin e fushës në fshatin Lubç i Poshtëm.

Projekti do të implementohet në vitin 2016 dhe Ministria pritet të investojë 55 mijë euro.

Me këtë rast, ministri Kujtim Shala u shpreh se ky investim në fusha sportive po bëhet për të ndihmuar komunat pasi që tani sporti i Kosovës është ndërkombëtarizuar.

“Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit po punon në shumë drejtime për ta përmirësuar infrastrukturën sportive në vend, në mënyrë që të krijohen kushte të volitshme për sportistët tanë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Këtë lajme e ka mirëpritur edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i cili ka theksuar se ky subvencion është i rëndësishëm për qytetarët e komunës.

“Me këtë investim, Podujeva përmirëson dukshëm infrastrukturën sportive, sepse krijohen kushte më të volitshme për futbollin e kësaj ane”, thuhet në komunikatë.