Foto: Komuna e Vitisë

Komunat Përballen me Probleme Shkaku i Borës

Arsye për këtë intervenim të shpejtë, sipas kryetarit të komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, janë dy raste të vdekjes që kanë ndodhur në këtë komunë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, kryetari Sinani tha se sapo janë njoftuar, autoritetet komunale kanë urdhëruar që rrugët e këtyre dy fshatrave të pastrohen me prioritet.

“Bëhet fjalë për një rast në fshatin Shipashnicë e Epërme ku ka pasur një vdekje të natyrshme në një familje shqiptare si dhe për një rast tjetër në fshatin Ubovc ku ka pasur një vdekje të natyrshme në një familje serbe”, tha kryetari Sinani për KALLXO.com.

“Kompania ka intervenuar dhe rrugët janë hapur shumë shpejt për këto dy raste”, tha Sinani.

Sipas tij, në vendet e rrafshëta në këtë komunë, trashësia e borës arrin deri në 70 centimetra përderisa në vendet malore trashësia e borës shkon mbi 1 metër.

“Është gjendje e rëndë por kemi intervenuar. Kompania e mirëmbajtjes është në teren dhe po punon me të gjitha kapacitetet. Komisioni është në teren dhe tjetër punë sot nuk kemi”, tha Sinani.

Në komunën e Junikut, sipas kryetarit të komunës, Agron Kuçi, trashësia e borës është deri 40 centimetra përderisa “të gjitha rrugët janë të kalueshme me vështirësi”.

“Deri tani nuk ka ndonjë kërkesë për ndihmë emergjente, nuk ka vendbanime të bllokuara”, tha Kuçi për KALLXO.com.

Nga ana tjetër, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, tha për KALLXO.com se problemi më i madh në këtë komunë paraqitet në rrugën regjionale që kalon nëpër Magurë dhe e lidh këtë komunë me Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Ai fajëson autoritetet qendrore të vendit që nuk kanë marrë masa për ta mirëmbajtur këtë rrugë.

“Ata të nivelit qendror janë pak dembelë”, tha ai.

Fshati Shalë, Lipjan, i mbuluar nga bora. Foto: Facebook
Fshati Shalë, Lipjan, i mbuluar nga bora. Foto: Facebook

Sipas Ahmetit, të gjitha rrugët e fshatrave janë të qarkullueshme dhe po pastrohet bora.

Në Malishevë, kryetari i komunës Ragip Begaj thotë se nuk ka ndonjë fshat të bllokuar nga bora, rrugët janë të kalueshme dhe nuk është paraqitur ndonjë situatë emergjente.

Kryetari Begaj në një deklaratë për KALLXO.com u bëri thirrje atyre që kanë nevojë që të transportohen për diku përderisa ka vënë në dispozicion automjetet e komunës për ndonjë emergjencë të tillë.

Ndërsa komuna e Vitisë ka thënë se e ka ngritur nivelin e gatishmërisë për menaxhim të situatës nga reshjet e borës, ndërsa kryetari i komunës Sokol Haliti ka thirrur Komitetin Komunal për menaxhim të situatës.

Ndonëse kompania e kontraktuar është e angazhuar në pastrimin e rrugëve si në qytetin e Vitisë po ashtu edhe në fshatra, reshjet e borës që po vazhdojnë të jenë prezentë edhe më tej, po vështirësojnë qarkullimin, andaj komuna u ka bërë apel ngasësve që të shtojnë përkujdesjen dhe të respektojnë kushtet e krijuara në trafik.

“Përderisa të vazhdojë të mbretëroj ky mot, gjendja do të monitorohet në të gjitha fshatrat në theks të veçantë të fshatrave kodrinore-malore”, tha komuna e Vitisë në një komunikatë.