Ramiz Lladrovci, PDK, Drenas. Foto: Atdhe Mulla

Komuna e Drenasit flet për rastin e zyrtares ndaj të cilës pretendohet se po bëhet presion

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është akuzuar së i ka bërë presion zyrtares komunale Zahrie Podrimqaku- Subashit për largim nga puna me qëllim të zëvendësimit me renë e motrës së tij.

Komuna e Drenasit përmes një postimi ne “Facebook” ka reaguar sot duke thënë se Podrimqaku nuk është larguar nga puna, por që është transferuar në pozitë “ekuivalente’, dhe se akuzat ndaj kryetarit nuk qëndrojnë.

“Komuna e Drenasit në kuadër të organizmit dhe sistematizimit të brendshëm të vendeve të punës, është zotuar se nuk do të ketë shefa sektorësh ose udhëheqës njësish të cilët nuk kanë në menaxhimin e tyre asnjë punëtor. Në rastin konkret, zonja Podrimqaku nuk ka pasur në menaxhimin e saj asnjë punëtor të vetëm”, thuhet në postimin e Komunës.

Komuna pretendon se Podrimqaku nuk posedon koeficientin e nevojshëm për pozitën që ishte deri më tani.

“Duke pas parasysh Ligjin 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, respektivisht nenin 28 të këtij Ligji si dhe në pajtim të plotë me rregulloren nr 06/2010 për transferimin e nëpunësve civilë, zonja Podrimqaku është transferuar në vijë horizontale në pozitën Shef i Shërbimeve të Kuvendit, në të njëjtën kategori funksionale”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, zyrtarja komunale kishte kërkuar uljen e koeficientit me qëllim të vazhdimit të punës si koordinatore e të Drejtave të Njeriut dhe zyrtare për Barazi Gjinore, gjë e cila nuk është pranuar nga kryetari Lladrovci.

“Podrimqaku me datë 23.01.2019 ka bërë kërkesën me numër 02-120/04-4116 me anë të se cilës kërkon të ulët nga koeficienti 8.5 në 7.5 dhe të jetë në zyrën e kryetarit, mirëpo duke pas parasysh legjislacionin në fuqi dhe zotimin e Kryetarit Lladrovci, me rastin e sistematizimit dhe organizmit të brendshëm, asnjë zyrtarë nuk do të dëmtohet as në aspektin material e as në aspektin e karrierës, andaj zonjës Podrimqaku nuk i është aprovuar kërkesa për ulje të koeficientit nga kryetari Lladrovci.

Sa u përket pretendimeve së Lladrovci po ndërron pozitën Podrimqakut me qëllim të zëvendësimit me renë e motrës së tij, në reagim thuhet se e njëjta ka  vetëm një autorizim të përkohshëm  për kryerjen e detyrave si zyrtare për integrime europiane dhe vendim për sinjalizim në Komunën e Drenasit për kryerjen e punëve deri të zhvillohen procedurat e rekrutimit në atë pozitë.

Të shtunën, kryetari Lladrovci për KALLXO.com i kishte quajtur “shpifje” lajmet se i ka bërë presion për largim nga puna koordinatores për të Drejtat e Njeriut dhe zyrtare për Barazi Gjinore brenda kësaj komune, Zahrie Podrimqaku-Subashit.

https://kallxo.com/ramiz-lladrovci-mohon-se-i-ka-bere-presion-zyrtares-komunale-per-largim-nga-puna/

www.kallxo.com