Kompania e Blerim Devollit i jep ultimatum Telekomit për pagesë të borxhit, rrezikohet falimentimi

Kompania Z Mobile ka paraljmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej më shumë se 25 milionë euro në përmbarim.

Sipas Drejtorit të Telekomit, nëse paralajmërimi që ju erdhi dje jetësohet ndërmarrja do të falimentojë.

Drejtori i Telekomit Bedri Istrefi për KALLXO.com e konfirmoi se tashmë kanë pranuar një shkresë paralajmëruese nga Z Mobile në të cilën paralajmërohet se çështja e borxhit e vendosur sipas vendimit të Arbitrazhit do të dërgohet tek permbaruesi.

Istrefi tha se Telekomi veçse ka qenë në proces të negocimit me Z Mobile në lidhje me mundësine e vazhdimit të lincencës dhe se të hënën komisionet e përbashkëta të Telekomit dhe Z mobile do të takohen.

“Jam optimist se do të arrihet një marrëveshje për të shmangur përmbarimin dhe bllokimin e llogarive sepse nëse ndodh ajo situatë Telekomi nuk do të mund ta përballojë dhe do të kemi 2500 puëtorë në rrugë. Nëse arrijnë me pas negociata të shëndosha pa interferime të jashtme politike atëherë mundemi me arritë me tejkalu këtë situatë.”, tha Istrefi.

Sipas Istrefit, borxhi që duhet paguar është rreth 25 milionë euro.

“Nëse shkon në përmbarim krijohet edhe një borxh më i madh që i shkon përmbaruesit”, tha Istrefi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe avokatin e kompanisë Z Mobile, Virtyt Gacaferri, i cili nuk ka dashur të deklarohet për këtë çështje.

Arbitrazhi

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.

Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it,si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Borxhi tani sipas Telekomit sillet rreth 25 milionë euro.