Foto: KALLXO.com. 16/07/19

Deputetët injorojnë raportet e auditimit të Postës, Telekomit dhe Ujësjellësit "Prishtina"

Në mungesë kuorumi ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku ishte paraparë të shqyrtohen raportet e auditimit për ndërmarrjet Posta e Kosovës, Telekomi i Kosovës dhe KRU “Prishtina”.

Kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, tha se vetëm për deputetin e LDK-së, Avdullah Hoti kishte informacione se është jashtë vendit ndërsa për anëtarët e tjerë jo. Tutje ai tha se sot kishte për çka të diskutohej.

“Sot kemi pasë shumë çështje të rëndësishme për të cilat kemi çka diskutojmë sepse pothuajse të gjitha raportet kanë qenë negative, por në mungesë të deputetëve po na duhet me mbyllë dhe e shtyjmë për të premten në ora 10:00”, tha Selmanaj.

Për këtë deklaratë, kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha i tha Selmanajt që mos të paragjykojë raportet para shqyrtimit.

“Deshta me  i thënë kryetarit që mos me paragjyku raportin ende pa u shqyrtu”, tha Hoxha.

E Selmanaj i tha atij se në komision vendosë ai.

“Këtu nuk je në postë, këtu unë vendosi kujt me ia japë fjalën kujt jo”, tha Selmanaj.

Mbledhja e komisionit është shtyrë për të premten në orën 10:00-të.