Mungesa e ujit Ilustrimi: Pixabay

Prishje në gyp, qytetarët thonë se që 12 orë janë pa ujë në një pjesë të Podujevës

Ka 12 orë që kanë mbetur pa furnizim me ujë qytetarët e Podujevës në rrugën për fshatrat Kërpimeh dhe Pollatë.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com rreth kësaj problematike.

“Është për mbi 12 orë problemi. Me Kompaninë Rajonale nuk kam komuniku sepse nuk munda me i marrë në lidhje por isha më herët, kishin fillu me hap. Gypi kryesor i ujit ish shpërthy dhe mbrëmë tërë natën ka rrjedh uji pa ndalë. Është rruga në Podujevë, drejtimi për Kërpimeh-Pollatë. Kështu kaq gjatë nuk ka ndodh. Unë isha aty, thanë që janë duke punu dhe duke e riparu”- tha qytetari në kushteti anonimiteti.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” rreth kësaj problematike.

Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku thotë se po punohet në zgjidhjen e problemit dhe se brenda 2 orëve pritet të kryhen punimet.

“Në ish-Rr.’Brigadat’ – tash ’28 Nëntori’, mbrëmë ka pas avari në gypin PE OD-250 mm. Sot është ekipa duke e rregulluar, brenda së paku 2 orë do të kryhen punimet”, deklaroi Mjeku.