Mbledhja e komisionit | Foto: KALLXO.com

Komisioni pa Udhëzues për Peticionet

Në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione Teuta Haxhiu nga AAK-ja u përplas me kryetaren e komisionit nga LDK-ja Lirije Kajtazi, pasi tha se komisioni nuk po ndërmerr asgjë për peticionet që po i shkojnë për shqyrtim nga mungesa e udhëzuesit për to që është duke u hartuar.

“Një çështje që e kisha ngritur sot këtu është se kemi një numër të peticioneve që na kanë ardhur në vazhdimësi neve si komision, këto peticione ne i shqyrtojmë, i ndëgjojmë dhe në fund të fundit çka po bojmë. Ne si komision vetëm po nxjerrim një përfundim, asgjë më shumë. Ma mirë mos t’i mashtrojmë njerëzit dhe t’u themi mos na u drejtoni neve si komision sepse jemi të pafuqishëm,” tha Haxhiu.

Por kryetarja e komisionit Lirije Kajtazi i tha anëtares Haxhiu që të mos bëjë propagandë dhe të mos i dekurajojë qytetarët për t’iu drejtuar komisionit.

“Unë t’u kisha lutur mos me i dekuraju qytetarët se kjo nuk qenka adresa, sepse këtu e bën një shkelje ligjore, sepse deri sa ky komision ka obligim me i trajtu peticionet, nuk është e ytja me i dekuraju qytetarët, mundesh individualisht me ba propaganda, por shkelje ligjore të bëj thirrje mos me ba,” tha Kajtazi.

Kajtazi i tregoi Haxhiut se gjatë kohës sa mungoi opozita, komisioni ka vazhduar të punojë.

“Udhëzuesin për peticione jemi duke e shqyrtuar me Sekretariatin e Kuvendit, ka mbetur të shqyrtohet edhe nga Komisioni për Legjislacion, e sa për njohuri edhe kur keni mungu ju ne kemi vazhdu m’i trajtu peticionet në shkallën e mundshme të realizimit, ne kemi intervenu aty ku ka pasur nevojë,” tha Kajtazi.

AAK-ja bashkë me Nismën iu kthyen punës në Kuvend e komisione parlamentare gjatë shtatorit, pasi e bojkotuan punën që nga muaji mars.