Vdekja e 4-vjeçares në QKUK, ministri Vitia në Komisionin parlamentar: Nuk ka ende të evidentuar se ka pasur neglizhencë
Detaje të reja lidhur me vdekjen e 4-vjeçares nga Gjakova në QKUK u shpalosën nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, sot, më 26.02.2024, para Komisionit për shëndetësi dhe Komisionit për të drejtat e njeriut.
Deklaratat publike të prindërve të vajzës, e cila i përkiste një komuniteti etnikisht të margjinalizuar në vend, ngjallën dyshime për trajtim jo të duhur mjekësor e neglizhencë.
Sipas raporteve të prezantuara më 26.02.2024, vdekja e pacientes ka ardhur si pasojë e infeksionit të sepsës, e jo për shkak të ndonjë dhune, siç kanë dyshuar prindërit e vajzës.
Megjithatë, ministri Vitia tha se për diagnozën përfundimtare duhet të priten rezultatet e hetimeve dhe raporti i Inspektoratit Shëndetësor.
“Çdo pretendim se çdo veprim ndryshe ka mundur të ketë epilog tjetër, për momentin qëndron vetëm si spekulim. Në bazë të raporteve të deritanishme, nuk ka ende të evidentuar se bëhet fjalë për neglizhencë të qëllimshme apo të çfarëdo lloji, së paku nga Spitali i Gjakovës dhe QKUK”– tha ministri Vitia.
Ai tha se kur është njoftuar për rastin edhe vetë ka dyshuar për neglizhencë potenciale, pasi që, sipas tij, përkundër angazhimit të pothuajse të gjithë profesionistëve shëndetësorë nuk mund të mohohet fakti se ka raste të tilla në sistemin shëndetësor.
Ndërsa drejtori Elvir Azizi tregoi kronologjinë e trajtimit shëndetësor që ka marrë pacientja, që nga pranimi i saj në Spitalin e Gjakovës e më pas në Emergjencë e Pediatri në QKUK.
“Gjatë trajtimit të pacientes në spital janë bërë shumë ekzaminime fiziko-klinike, laboratorike, të cilat janë kryer më shumë se një herë si dhe radiologjike përfshirë fotografimin e mushkërive dhe të barkut, si dhe CT ekzaminimi të disa regjioneve, të kokës, gjoksit dhe barkut apo abdomenit” – tha Vitia.
Kreu i shëndetësisë shtoi se nuk është evidentuar asnjë shenjë dhune që do të rrezikonte shëndetin dhe jetën e pacientes, por mospërmirësimi i gjendjes së saj dhe përkeqësimi i parametrave vitalë ka shtyrë mjekët që përveç përsëritjes së disa ekzaminimeve, ta referonin rastin me urgjencë në QKUK.
“Para nisjes, për shkak të parametrave vitalë të komprometuar është intubuar, ka qenë me linja venoze të përgatitura dhe është shoqëruar nga mjeku anesteziolog dhe një infermier për në QKUK. Janë bërë analizat e nevojshme, është vendosur linjë qendrore venoze, është bërë CT e kokës dhe qafës, CT e abdomenit dhe pelvikut. Pas kësaj janë thirrur me urgjencë infektologu, kirurgu i fëmijëve dhe pediatri. Për shkak të gjendjes së rëndë është përgatitur për mjekimin intensiv në Pediatri, ku është vendosur rreth orës 18:00” – tha më tej ministri.
Siç tha ai, pacientja ka qëndruar në mjekim intensiv për dy ditë pa ndërprerë, deri në vdekjen e saj.
“Nga mjekët që kanë ndjekur rastin gjatë këtyre dy ditëve, është diagnostikuar me diagnozë pune me sepsë meningokoksike dhe shok toksik që shkaktohet nga meningokoku” – tha Arben Vitia.
Lidhur me këtë lloj të sepsës, Vitia tha se infeksion i rëndë i gjakut, i cili ka progresion jashtëzakonisht të shpejtë dhe që ka vdekshmëri shumë të lartë.
“Akoma vazhdon të jetë një nga shkaqet kryesore infektive të vdekjeve të fëmijëve në vendet e zhvilluara” – tha ai.
Vdekshmërinë e lartë të kësaj sëmundjeje e konfirmoi edhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, që me profesion është infektolog.
Me 37 vjet karrierë si infektolog, Dreshaj tha se deri në vitin 2002 incidenca e sepsës në Kosovë ka qenë e lartë, me mesatarisht 20-40 raste brenda vitit, por me futjen e vaksinimit kundër saj, ai tha se kanë rënë rastet.
Një gjë me rëndësi, që sipas tij duhet të shihet, është nëse pacientja ka qenë e vaksinuar me këtë vaksinë.
“Është brengosëse që pretendimet dhe akuzat e pambështetura në fakte shpesh e rëndojnë ambientin tonë. Këto janë paragjykime. Unë jam kundër këtyre gjërave, në veçanti para se të bëhet ekspertiza” – tha Dreshaj.
Ai tha se ky rast ngjason me sindromën ‘waterhouse friderichsen’, të cilat sipas tij përfundojnë si këtu, si jashtë – me fatkeqësi.
“Shëndetësia jonë nuk është e mirë, s’kemi nevojë me e bo ma të zezë seç është, s’kemi nevojë me i njollos mantelbardhët” – tha ai.
Edhe dy deputetët e tjerë të opozitës, Bekim Haxhiu (PDK) dhe Armend Zemaj (LDK), u pajtuan se duhet të pritet për raportet finale, por megjithatë patën kritika ndaj ministrit.
Zemaj tha se nuk do që të paragjykojë për rastin, por sipas tij jotransparenca e institucioneve shëndetësore krijojnë huti në opinionin publik e politik. Ai tha se përgjigjet është dashur të japen në momentin kur prindërit kanë shprehur dyshimet e tyre.
“Vajza i përket një nacionaliteti tjetër, që jemi të gjithë vigjilentë që është i margjinlaziuar dhe pa trajtim adekuat shoqëror. Këtë nuk duhet ta lejojmë në asnjë formë” – shtoi ai.
Deputeti Haxhiu vlerësoi iniciativën e Vitisë për këtë raportim, por pyeti se pse nuk ka qenë kjo iniciativë edhe në rastet e tjera si vrasja e shtatzënës, Hamide Magashi në oborrin e Gjinekologjisë, futja e foshnjës së lindur pa shenja jete në lavatriqe në Spitalin e Pejës e për pacientin që vdiq si pasojë e djegies së një dhome në Klinikën e Psikiatrisë.
“A kanë pasë vlerë të njëjtë jetët e tyre sikur jeta e fëmijës 4-vjeçar?” – tha Haxhiu.
Lidhur me këtë, Vitia u shpreh i gatshëm që të planifikojnë një takim tjetër për të diskutuar për këto raste. Ndërkaq, Avokati i Popullit tha se ka nxjerrë raporte për këto raste.
Në këtë takim, raportoi edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetime për këtë rast dhe ka thënë se do ta monitorojë nga afër nё mënyrë qё tё “sigurojë se tё gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”.
Qelaj ngriti tri çështje: moszbatimi i rekomandimeve për ofrim të shëbrimeve shëndetësore në mënyrë të barabartë, mosfunksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH) dhe konstatimin e Raportit të Progresit se në Kosovë jetëgjatësia në lindje është më e ulëta në rajon.
“Ka më shumë se pesë vite që kemi folë për një qasje dhe trajtim jo të përshtatshëm në ofrim të shërbimeve mbi baza të barabarta kur vijnë në shprehje karakteristikat e veçanta, qofshin këto për shkak të nacionalitetit apo rrethanave të tjera sociale”.
Sipas tij, zbatimi i rekomandimeve do të rriste cilësinë e shërbimeve.
“Mosfunksionalizimi i SISH-it, si një nga hallkat kryesore që ka me ndiku në përmirësimin e sistemit të shëndetësisë, do të krijonte lehtësira edhe në raportim kur ndodhin raste të tilla sepse do të ishte gjithçka e evidentuar në mënyrë elektronike” – tha ai.
Ai citoi Raportin e Progresit për vitin 2023, i cili thotë se “jetëgjatësia në lindje në Kosovë mbetet më e ulëta në rajon, sëmundjet jongjitëse janë shkaku kryesor i vdekjeve, veçanërisht sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri. Rreth 33% të vdekjeve janë raportuar gabimisht ose nuk janë diagnostikuar.”
4-vjeçarja, që raportohet t’i përkasë një komuniteti etnikisht të margjinalizuar në Kosovë, ka vdekur më 19.02.2024 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ishte transferuar nga Spitali i Gjakovës. Ndërkaq, trajtimin fillestar e kishte marrë në Qendër të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.
Vdekja e 4-vjeçares është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria. Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”, ndërkaq trupi i pajetë i viktimës i ishte dërguar Institutit të Mjekësisë Ligjore për obduksion. Inspektorati Shëndetësor ka thënë se ka bërë inspektim në Spitalin e Gjakovës lidhur me këtë rast.
Prindërit kanë treguar se kur vajza është ankuar për dhimbje, ka thënë se është rrahur nga disa fëmijë të tjerë. Mirëpo, Klinika e Pediatrisë në QKUK ka diagnostikuar vajzën me infeksion akut të rëndë të shkallës së lartë.
Prindërit e vajzës në disa prononcime për media janë shprehur të pakënaqur me trajtimin mjekësor që ka marrë vajza e tyre dhe kanë rrëfyer ngjarjen.
Ata thonë se vajza ka thënë se është rrahur nga disa fëmijë të tjerë dhe pasi është ankuar për dhimbje e kanë dërguar në Qendër të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, ku i është përshkruar shurup për ulje të temperaturës, dhe nga doktoresha u është thënë të dërgohet në shtëpi se do i kalojë.
Sipas rrëfimit të nënës, ajo e ka dërguar vajzën sërish te mjeku për shkak se nuk ka pasur përmirësim.
“O doktor i thashë shumë o ka dridhet. Ma dha një letër, tha me qet letër, shko një herë në shpi, mos shko në spital, nëse e kap shko në spital me qet letër” – ka thënë ajo për “indeksonline”.
Pas dërgimit në spital e pas disa kontrolleve, nëna pretendon se vajzës i është përkeqësuar gjendja.
“E çova në spital, spitali herë poshtë, herë nalt më sillshin… Kur u bo 4 e mëngjesit, çikës nisi krejt trupi tu ju bo zi” – është shprehur ajo.
Pas kësaj, nëna e 4-vjeçares thotë se ka shkuar për të kërkuar ndihmën e doktorit, i cili i ka thënë se do të vijë doktoresha. Ndonëse nuk është e sigurt për orën e saktë, ajo thotë se doktoresha ka shkuar rreth orës 8 të mëngjesit.
“Çika krejt trupin zi mu ka bo, pe këqyr, tha shko në dhomë tash ta çoj mjeken. Prit mjeken se po vjen, s’po vjen. Kur u bo ora 8 erdh mjekja” – tha ajo.
Pas përkeqësimit të gjendjes, ata thonë se vajza është dërguar për Prishtinë, por në autoambulancë nuk e kanë marrë asnjërin prind, pavarësisht lutjeve të tyre.
“Kur e hupi çika me frymëmarrje me krejt, ata e morën me pompa a s’di çka i bon, e shtinën në një dhomë, mu m’qitën jashtë. Më merrni me veti, nuk më marrshin. Ky (bashkëshorti) e ndjeki kerrin, e çun për Prishtinë, edhe na erdhëm masandej, s’kishim as pare me veti për taxi, as kurrgjë, erdhëm e morëm një kojshi veresi. Na çoi në Prishtinë, lyp çikën në cilin spital është, s’mujshim me e gjetë” – ka rrëfyer nëna e viktimës.
Në QKUK, nëna thotë se vajzën e saj e kanë trajtuar shumë mirë dhe i kanë thënë se gjendja e saj vjen nga një infeksion i madh e nuk ka të bëjë me rrahje. Për vdekjen e vajzës, e ëma thotë se janë njoftuar përmes rrjeteve sociale.
“Çika ka vdekë në ora 8:00, s’na ka informu kurrkush hiç, as s’e kam ditë. Në 7 ose në 5 në mbramje e këna pa nëpër telefona e Facebook-a që e kanë qitë. Na e këna lanë numrin, nuk na ka njoftu kurrkush. Krejt lagjja erdhën te dera, thanë çka u bo. Burri nisi me marrë vesh a është e vërtetë. Kur ka shku në Prishtinë, i kanë thanë që është e vërtetë” – ka thënë ajo për T7.
Lidhur me këtë rast, kanë reaguar edhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) dhe shoqëria civile, të cilët janë shprehur të shqetësuar për trajtimin shëndetësor që i është ofruar viktimës dhe kanë kërkuar hetimin e rastit.
PRAK ka ngritur dyshime mbi menaxhimin e rastit nga institucionet shëndetësore, brenda të cilit thotë se mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim johuman.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se ka nisur hetime për këtë rast dhe se do ta monitorojë nga afër nё mënyrë qё tё “sigurojë se tё gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”.
Çka kanë thënë institucionet?
Pas mediatizimit të këtij rasti, institucionet shëndetësore që kanë trajtuar vajzën kanë dalë me disa reagime, që tregojnë për trajtimin që kanë ofruar dhe për hapat që do të ndërmarrin.
Spitali i Gjakovës më 21.02.2024 kishte treguar për trajtimin që i është ofruar pacientes dhe ka thënë se konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale ka vazhduar derisa ka filluar përkeqësimi i gjendjes së pacientes dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtimi i mëtejmë në nivel tretësor shëndetësor.
“Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmijës (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se më datë 16.02.2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun, fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë” – thuhet në komunikatën e Spitalit, të publikuar në Facebook.
SHSKUK si mbikëqyrëse e QKUK-së dhe spitaleve rajonale ka thënë më 21.02.2024 se ka kërkuar raporte të detajuara nga QKUK dhe Spitali i Gjakovës, ku pacientja ishte trajtuar paraprakisht dhe se të njëjtat do t’i shqyrtojë.
“Pacientja sjellet nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaft të rënduar shëndetësore” – thotë SHSKUK.
Kjo ndihmë mjekësore në QKUK, sipas komunikatës, ishte kërkuar më 17.02.2024 rreth orës 15:00.
Më tej thuhet se janë kryer të gjitha analizat laboratorike dhe diagnostike – radiologjike dhe janë thirrur për konsultë mjekët e fushave përkatëse.
“Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë (infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024” – thuhet në komunikatë.
SHSKUK kishte apeluar që të mos spekulohet në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes deri sa te publikohen rezultatet e hetuesisë, të cilat thotë se do të merren parasysh edhe nga SHSKUK-ja për veprime të mëtejme.
Inspektorati Shëndetësor tha më 22.02.2024 se ka bërë inspektim në Spitalin e Gjakovës lidhur me rastin.
“Ju informojmë se Inspektorati Shëndetësor ka kryer inspektim më datë 21.02.2024 në Spitalin e Gjakovës në lidhje me rastin në fjalë dhe lënda është në procedurë” – tha Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com.
I pari i Shëndetësisë në vend, ministri Arben Vitia ka thënë se kushdo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë dhe u ka bërë thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj.
Spitali i Gjakovës drejtohet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Hilmi Shala, ndërsa QKUK nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Osman Hajdari. SHSKUK, e cila ka nën ombrellë të dyja këto, ka në krye të saj drejtorin Elvir Azizi.
Qendrat e Mjekësisë Familjare menaxhohen nga niveli komunal. Drejtoria e Shëndetësisë në Gjakovë udhëhiqet nga Adelina Shehu-Kola.