Komisioni per Legjislacion... 12.02.2019 - KALLXO

Kodi i Procedurës Penale shkon në Kuvend pa përkrahjen e Komisionit të Ligjeve

Projekt-Kodi i Procedurës Penale është dërguar në Kuvendin e Kosovës pa përkrahjen e Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Këtë Projekt-Kodi i Procedurës Penale nuk e përkrahën katër deputetë të cilët abstenuan, Albulena Haxhiu, Sami Kurteshi, Arben Gashi dhe Korab Sejdiu.

Kurse për ishin Bilall Sherifi, Frashër Krasniqi, Xhevahire Izmaku, Brahim Shabani.

Kryetarja e këtij komisioni nga LVV, Albulena Haxhiu tha se janë disa vërejtje për këtë kod.

“Janë disa vërejtje pasi është shqyrtimi i parë i këtij kodi dhe janë problematike. E para është neni 177, suspendimi i personit zyrtar nga detyra. E di që ka pasur shumë debat, gjykata e suspendon nga detyra personin zyrtar. Ka pasur diskutim që ky nen vlen vetëm për kapitullin 23, për krimin e organizuar edhe korrupsionin. Secili person zyrtar pavarësisht mund të mos lidhet fare, por në anën tjetër kjo përbën rrezik sepse kemi probleme me sistemin e drejtësisë, apo për shkak të hakmarrjes mund të fillojnë hetimet dhe të suspendoj personin në fjalë. Kjo mund të bie ndesh edhe me parimin e pafajësisë”, tha Haxhiu.

“Në përgjithësi siç e kanë lënë këtë nen është e papranueshme. Tjetër është gjykimi në mungesë për rastet e krimeve të luftës. Ne si VV kemi caktuar disa kushte, është komplet tjetër nga ajo që e kemi propozuar, këtu flitet për të gjitha veprat dhe duhet patjetër që të aplikohet shqyrtimi fillestar kryesor. Është e vështirë për krimet e luftës kjo me u realizu”, shtoi Haxhiu.

Anëtarja e këtij komisioni, Xhevahire Izmaku nga PDK, tha se neni që lidhet me gjykimin në mungesë tek Kodi i Procedurës Penale, do ta lirojë Kosovën shpirtërisht.

“Është një material shumë voluminoz, mendoj së pari është një lajm i mirë, e plotëson pakon e ligjeve, veçanërisht neni i ri në lidhje me gjykimin në mungesë. Po shihet që edhe ministri e ka pas prioritet. Sepse ka raste që kemi paraqitur për krime në luftë, dhe nuk kemi mund mi gjyku ata që kanë bërë krime, sidomos serbët që jetojnë në liri. Me plotësimin e këtij ligji kemi mu shëru shpirtërisht edhe ligjërisht”, tha Izmaku.

Anëtari i komisionit për Legjislacion, Bilall Sherifi nga NISMA, tha se gjykimi në mungesë do ta mundësojë ndjekjen e personave për krime lufte.

“Sa i përket gjykimit në mungesë duhet të aplikohet, sikur Serbia të ishte kooperative në dorëzimin e të dyshuarëve, natyrisht Kosova s`do të kishte nevojë për këtë, dhe do të gjykohej në prova. Por fakti se ata nuk jetojnë në Kosovë dhe jetojnë në Serbi të lirë, do të bënte të mundur ndjekjen e tyre penale. As gjykata speciale nuk po i ndjek këto krime, e s`ka as të dënuar për krime luftë e bën të domosdoshëm, por edhe forcimin e kësaj dispozite në ligj. Ajo dispozitë nuk duhet të hiqet”, tha Sherifi.

Kurse Frashër Krasniqi nga PSD tha se do ta votojë në parim për Kodin e Procedurës Penale.

“Do të votoj në parim pro, pasi është vetëm leximi i parë dhe mund të ndryshojmë pikat e tjera gjatë ndryshimit të dytë”, tha Krasniqi.

Kurse Korab Sejdiu nga LDK, tha se sa i përket nenit për gjykimin në mungesë përveç që ndihmon për krimet e luftës por edhe për aferat korruptive.

“Duhet me mbrojt dënimin në mungesë për dy arsye, për krimet e luftës të kryera nga zyrtarë dhe jo zyrtarë të Serbisë. Por gjëja tjetër është një rëndësi e jashtëzakonshme fakti që kemi një numër i madh të aferave korruptive deri në 60 të pandehur, ku ka marrëveshje që të dështojnë seancat, kështu që ky është përfitimi i dytë”, tha Sejdiu.

Ndërsa, Shkumbin Demalijaj nga AAK, tha se tek gjykimi në mungesë nuk duhet të theksohet vetëm për serbët.