
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Miratohen ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale për krimet e luftës në Kosovë
Tri ndryshime të paraqitura nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për Kodin e Procedurës Penale janë miratuar sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ky Projektligj u votua nga 68 deputetë.
Kryetari i këtij Komisioni, Adnan Rrustemi, paraqiti para deputetëve ndryshimet dhe plotësimet që do t’i bëhen Kodit të Procedurës Penale në lidhje me krimet e luftës në Kosovë.
“Ky Projektligj përmban tri ndryshime me efekt të rëndësishëm në kuptimin e mundësimit të hetimit, akuzimit dhe gjykimit në mungesë për krimet e luftës në Kosovë. Siç e dini para dy vitesh Kuvendi i Kosovës ka plotësuar dhe ndryshuar Kodin e Procedurës Penale duke krijuar mundësinë për institucionet e drejtësisë që të bëjnë hetimin, akuzimin dhe gjykimin në mungesë të të gjithë përgjegjësve të krimeve të luftës në Kosovë, megjithatë Prokuroria Speciale ka evidentuar disa mungesa që ka dërguar në pamundësimin e këtyre dispozitave”, tha Rrustemi.
Ai shtoi se ky ndryshim do t’i mundësojë Prokurorisë Speciale që të hetojë, akuzojë dhe gjykojë të gjithë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha edhe se kanë marrë njoftim nga Prokuroria Speciale se kanë nevojë për prokurorë shtesë dhe bashkëpunëtorë profesionalë për të adresuar krimet e luftës në Kosovë.
“Para dy javëve i kam shkruar Prokurorisë Speciale në lidhje me nevojat që kanë për adresimin e krimeve të luftës, më kanë njoftuar që kanë nevojë për 8 prokurorë shtesë e 16 bashkëpunëtorë profesionalë në mënyrë që të adresojnë krimet e luftës. Nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë i kemi ndarë buxhet apo mjete që t’i ndahen KPK për rekrutimin e 4 prokurorëve shtesë dhe 6 bashkëpunëtorëve profesionalë dhe dy përkthyesve”, tha Haxhiu.
Tutje ajo shtoi se është duke u punuar për themelimin e institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Qeveria jonë ndër prioritetet kryesore ka edhe adresimin e krimeve të luftës, në këtë drejtim ne kemi proceduar këtë ndryshim me qëllim të adresimit të krimeve të luftës, të gjykimit në mungesë pa pengesa që duhet ta kemi në kuadër të legjislacionit tonë”, tha tutje Haxhiu.
Në lidhje me këtë ndryshimin dhe plotësimin e Projektligjit nuk pati vota kundër e as abstenime.