Pasi për 2 vite nuk u gjykua askush në mungesë, Haxhiu paralajmëron ndryshime ligjore për ndjekjen e krimeve të  luftës

Ishte vite 2019 kur Kosova për herë të parë që nga paslufta e mundësoi zhvillimin e procedurave gjyqësore në mungesë të të akuzuarve.

Këtë formë të gjykimit, ligjvënësi kosovar e mundësoi vetëm për krimet e luftës të kryera gjatë periudhës janar 1990 deri në qershor 1999 në Kosovë.

Mirëpo ndonëse baza ligjore u mundësua, asnjë person në Kosovë nuk u gjykua në mungesë edhe pse janë bërë gati 2 vite prej momentit kur Kuvendi mundësoi një gjykim të tillë.

E për këto arsye ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kërkoj sot në mbledhjen e qeverisë ndryshimin e kodit të procedurës penale sa i përket “Gjykimit në mungesë”.

Pas mbledhjes së qeverisë në një konferencë për media, Haxhiu tha se kërkesën për ndryshim të këtyre dispozitave e ka paraqitur pas takimeve me prokuroret special të cilët kanë paraqitur pengesat që i kanë në zbatim të këtij kodi.

“Javën e kaluar kam pas takim me prokuroret special të cilët kanë shprehur nevojën e disa ndryshimeve urgjente të kodit të procedurës penale që kanë të bëjnë me eliminimin e pengesave. Ky ndryshim ka për qëllim që prokuroria speciale thjeshtë të nisë hetimin serioz të krimeve të luftës duke e mundësuar edhe gjykimin në mungesë i cili ka hyrë në fuqi por ka mbetur i pa zbatuar për shkak të pengesave që i ka pas”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se do ta ndryshojnë këtë kod për shkak se Serbia asnjëherë nuk ka bashkëpunuar për t’i dorëzuar kriminelet e luftës edhe se kriteri që të akuzuarit të kërkohen 5 herë në shtetin ku supozohen të jetë është pengesë për zhvillimin e procedurave.

“Për t’u shpallë një person që gjykohet në mungesë duhet të provohet së paku 5 herë të kërkohet në shtetin ku supozohet të jetë dhe duke e pasur parasysh që Serbia asnjëherë nuk ka bashkuar me Prokurorinë e Kosovës për t’i dorëzuar kriminelet e luftës, PSRK ka konstatuar që kjo është shumë vështirë e arritshme për t’u realizuar prandaj e kemi hequr kufizimin e kërkimin 5 herë dhe e kemi lënë vetëm adresimin që në qoftë se një adresim i tillë nuk ka funksionuar, t’i hapë rrugë prokurorisë për gjykim në mungesë”, shtoi ministrja.

Në Kosovë që nga viti 2019 lejohet të zhvillohen procedurat gjyqësore në mungesë vetëm për veprat penale kundër njerëzimit.

Ligjvënësi kosovar me rastin e lejimit të gjykimeve në mungesë, ishte i kujdesshëm duke paraparë kështu një mori kushtesh dhe të drejtash të cilat duhet të respektoheshin në mënyrë që një gjykim në mungesë të jetë i pranueshëm.

Kosova duke parë gabimet dhe problemet të shteteve anëtare në BE-së, vendosi kritere të cilat kërkojnë procedura dhe kohë për t’u respektuar. Si rezultat i këtyre kërkesave po bëhen gati dy vite prej kur këto ndryshime ligjore hynë në fuqi dhe akoma deri sot nuk u zhvillua asnjë procedurë gjyqësore në mungesë të të akuzuarve.

Kosova dallon nga shumë sisteme të tjera të cilat e parashohin gjykimin në mungesë për shkak se përpos që gjykimin në mungesë e kufizon në kohë të caktuar e kufizon edhe në vepra të caktuara penale, procedurë të kërkimit të të akuzuarit si dhe shpalljen e tij në mjetet e komunikimit publik.

Sipas Kodit të procedurës penale në Kosovë aktualisht lejohet të gjykohen në mungesë vetëm veprat e krimeve të luftës të cilat janë kryer gjatë periudhës janar 1990 deri në qershor 1999.

Ky Kod ka paraparë kushte strikte të cilat sipas prokurorisë speciale janë pengesë për zhvillimin e këtyre procedurave e që konsistojnë në  kërkimin e së paku pesë (5) herë të personit që po hetohet apo akuzohet në shtetin ku besohet se është.

Pra problemi kryesor në zbatim të gjykimit në mungesë është çështja e ekstradimit të personave të dyshuar ose të akuzuar për krime të luftës.

https://kallxo.com/shkurt/mungesa-e-vuajtur-e-gjykimit-ne-mungese/