Sfidat e hetimeve të krimeve të luftës

Edhe pse kanë kaluar 22 vite që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë ende shumë pak dosje të krimeve të luftës janë duke u gjykuar në gjykatat e vendit.

Kuvendi i Kosovës, 20 vjet pas luftës, me 15 prill të vitit 2019 e miratoi formimin  e Komisionit parlamentar për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë si dhe më 16 maj 2019 u miratua edhe  rezoluta për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, mirëpo deri më tani nuk kemi parë ndonjë rezultat konkret sa i përket kësaj çështjeje.

Në adresë të Prokurorisë Speciale janë dorëzuar një numër i madh i kallëzimeve penale të bëra nga qytetarët e Kosovës, të cilët vazhdimisht po presin zbardhjen e rasteve për humbjen apo zhdukjen e më të dashurve të tyre, mirëpo si duket familjarët duhet të presin akoma.

Nga Prokuroria thonë se rastet janë duke u trajtuar dhe që ende janë në procedurë.

Drita Hajdari, koordinatore e prokurorëve që hetojnë krimet e luftës, thotë se  në Prokurori aktualisht janë mbi 1,000 lëndë, prej tyre 900 lëndë të cilat janë trashëguar nga EULEX-i.

“Brenda Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës funksionon edhe Departamenti për  Krime të luftës me gjithsej 4 prokurorë. Kemi pasur takim edhe me Ministrinë e Drejtësisë ku kemi marrë premtim për shtimin e numrit të prokurorëve, por kjo varet edhe nga buxheti”, ka thënë Hajdari.

Lidhur me nevojën për rritjen e numrit të prokurorëve që merren me trajtimin e rasteve të krimeve të luftës në Kosovë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë muajit qershor 2021, në një takim me  kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishin diskutuar për mundësinë e rritjes së buxhetit për shtimin e numrit të prokurorëve në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Një tjetër problem me të cilin janë përballur institucionet tona të drejtësisë është edhe mungesa e bashkëpunimit ligjor në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë e pastaj pamundësia e ekstradimit të personave të akuzuar për krime lufte.

Mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar ka bërë që deri më tani shumë të akuzuar të mos mund të vihen para drejtësisë lidhur me akuzat që u vihen në barrë.

Mirëpo, plotësimi dhe ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale tani e mundëson edhe gjykimin në mungesë.

Një ndryshim i tillë në legjislacion erdhi në mungesë të bashkëpunimit ligjor ndërkombëtar me Serbinë dhe nevojës së madhe për zbardhjen e krimeve të luftës.

Pas ndryshimeve në legjislacion, prokurorja Hajdari është shprehur se shumë lëndë janë në procedurë lidhur me aplikimin e dispozitës së gjykimit në mungesë.

“Të gjitha lëndët janë në procedim e sipër dhe jemi duke i bërë përgatitjet për aplikimin e ligjit për ngritjen e aktakuzave në mungesë”, ka thënë për KALLXO.com Drita Hajdari.

E hetimi dhe ndjekja e krimeve të luftës në Kosovë tanimë do të jetë edhe më e lehtë për shkak se së fundmi është krijuar edhe një data bazë e të dhënave me rastet e raportuara për krime të luftës.

Kjo data bazë e të dhënave e krijuar në bashkëpunim në mes të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, përfshin të gjitha rastet e raportuara në EULEX deri në vitin 2018.

Data baza është zhvilluar me qëllim që hetuesit ta kenë më të lehtë që të organizojnë sasi të mëdha të të dhënave, të hetojnë rastet komplekse dhe të ndërlidhura të krimeve të luftës dhe t’i përgatisin ato me sukses për ndjekje penale.

Në dhjetor 2018, si rezultat i mandatit të rikonfiguruar të EULEX-it, Misioni ua dorëzoi dosjet e rasteve policore, prokuroriale dhe gjyqësore autoriteteve të Kosovës.

Mungesa e një baze të tillë të të dhënave më herët u identifikua si një nga sfidat kryesore me të cilat u përball Policia e Kosovës pas përfundimit të procesit të pranim-dorëzimit të rasteve të mbledhura nga misioni i EULEX-it të cilat iu dorëzuan Policisë së Kosovës në vitin 2018.

Kjo data bazë e të dhënave përfshin rreth 400 raste të krimeve të luftës, të cilat u skanuan dhe u futën në të pasi EULEX-i ia dorëzoi këto raste Policisë së Kosovës në vitin 2018.

Në maj të këtij viti, Gjykata e Prishtinës e shqiptoi dënimin e parë për dhunë seksuale të kryer gjatë luftës në Kosovë.

Zoran Vukotiq është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës dhe është dënuar me 10 vite burgim për krime lufte kundër popullatës civile të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kjo është aktakuza dhe rasti i parë i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, i ngritur nga prokurorët vendorë dhe i gjykuar nga gjykatësit vendorë që përfundon me aktgjykim dënues, në shkallë të parë, pasi që kujtojmë se i akuzuari ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Zoran Vukotiq akuzohet se në cilësinë e pjesëtarit të Policisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë gjatë luftës në Kosovë e kishte dhunuar një grua.

Ky artikull u mundësua në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent”, i realizuar nga Internews Kosova, Lëvizja FOL dhe Debate Center në mbështetje të Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).