Foto: Komuna e Klinës

Kërkesa të shumta për kryetarin e Klinës nga banorët e fshatrave

Kryetari i Komunës se Klinës, Zenun Elezaj, sot ka vizituar disa fshatra të kësaj komune me qëllim për t’i dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e banorëve.

Siç njofton zyra për informim e kësaj komune, kryetari Elezaj, sot ka vizituar fshatin Ujmirë,  njërin prej fshatrave me të mëdhenj të Klinës ku është takuar edhe me banorët e këtij lokaliteti.

Si preokupime kryesore nga banorët para kryetarit janë shprehur gjendja infrastrukturore e rrugëve, problemet me ujë të pijshëm dhe rregullimi i një ure në lagjen e Millakëve dhe Mustafëve,thuhet në njoftimin e Komunës së Klinës.

“Ne po takojmë qytetarë nga shumë lokalitete dhe jemi të interesuar që të marrim mendimin e secilit prej jush për të diskutuar hallet e problemet tuaja. Angazhimi ynë do të jetë në favor të zgjidhjes së këtyre nevojave, prandaj do jetë më e lehtë nëse bashkëpunojmë sa më mirë deri në arritjen e rezultateve sa më të mira”, citohet të ketë thënë kryetari i Klinës, Zenun Elezaj.

Po ashtu Elezaj sot ka vizituar edhe fshatrat Qeskovë dhe Rastokë, ku njëkohësisht gjatë bashkëbisedimit me banorët, thuhet të jetë njoftuar me shqetësimin dhe kërkesat e tyre.

Problemet me rrugë, kanalizim dhe rrjetin elektrik  thuhet të kenë qenë shqetësimet dhe kërkesat kryesore të banorëve të këtyre fshatrave.

Njoftimi i zyrës se informimit në komunën e Klinës bën të ditur se kryetari i komunës është zotuar për realizimin e kërkesave të banorëve.