ZKA: Komuna e Klinës nuk ka ndërmarrë masa shtesë që detyron borxhlinjtë të paguajnë obligimet
Përveç letër-kujtimit, Komuna e Klinës nuk ka ndërmarrë masa shtesë për borxhlinjtë, sikur veprimet ligjore përmes përmbaruesit, në mënyrë që të detyrojë tatimpaguesit të paguajnë obligimet.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, edhe përkundër faktit se gjatë vitit 2022 Komuna kishte ndërmarrë veprime për mbledhjen e borxheve, llogaritë e arkëtueshme në total krahasuar me vitin paraprak janë rritur në 3 milionë e 199 euro, me diferencë mbi 306 mijë apo 10%.
Sipas ZKA-së, rritja më e madhe ka ndodhur te tatimi në pronë si dhe te licencat për biznes.
Në raport thuhet se Ligji për tatimin në pronën e paluajtshme përcakton se komuna, Ministria e Financave dhe organet kompetente përmbaruese kanë autoritetin dhe kompetencat për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara që kalojnë shumën e 10 euro.
“Në Aktvendimet për ushtrimin e veprimtarisë afariste apo profesionale përcaktohet se pagesa e ngarkesës së caktuar bëhet në dy këste: Kësti i parë bëhet deri më 15.06 të vitit aktual, ndërsa Kësti i dytë bëhet deri më 15.12 të vitit aktual”- thuhet tutje në raport.
ZKA ka theksuar se mungesa e veprimeve të mjaftueshme për të mbledhur të gjitha të hyrat me kohë, paraqet rrezik për dëmtimin e buxhetit komunal si dhe rrit rrezikun e vjetërsimit të llogarive të arkëtueshme.
Auditori ka rekomanduar që kryetari i Komunës të sigurojë se zyrtarët të intensifikojnë veprimet dhe ndërmarrin të gjitha masat për mbledhjen e llogarive të arkëtueshme dhe zvogëlimin e trendit të tyre rritës ndër vite.
Për këtë gjetje, përgjigjja e menaxhmentit të Komunës është se pajtohen me gjetjet e Auditorit.
Në vitin paraprak, ZKA për Komunën e Klinës kishte dhënë 12 rekomandime nga të cilat, deri në fund të auditimit për vitin 2022 janë zbatuar 5 rekomandime, 4 janë zbatuar pjesërisht dhe 3 nuk janë zbatuar ende.
Komuna e Klinës udhëhiqet nga Zenun Elezaj.
Raportin e plotë me gjetjet e Auditorit për Komunën Klinës për vitin 2022 mund ta lexoni në këtë LINK.