Komuna Klinë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ZKA: Komuna e Klinës për subvencionim te fermerëve përdori kritere që nuk ishin të përfshira në thirrje

Komuna e Klinës për subvencionim të fermerëve me serra dhe makina mjelëse ka përdorur kritere që nuk kanë qenë të përfshira në thirrjen publike.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, komisioni i vlerësimit në formularin e poentimit ka përdorur kritere të cilat nuk kanë qenë të përfshira në asnjërën thirrje, si numri i anëtarëve të familjes, statusi i punësimit, gjendja ekonomike, dhe përmes këtyre kritereve janë fituar pikë.

ZKA ka theksuar se lidhur me këtë çështje ka testuar 8 përfitues dhe komisioni vlerësues nuk kishte siguruar dëshmi fizike për asnjërin prej tyre se kanë përmbushur kriteret e pashpallura.

Sipas raportit, subvencionimi me serra ka qenë në vlerë 63,950 euro dhe me makina mjelëse në vlerë 7,290 euro.

Mes tjerash në këtë thirrje kërkohej që përfituesi të jetë banor i komunës, të posedojë sipërfaqe të mjaftueshme të tokës për vendosje të serrës, të këtë mundësi ujitje, të jetë i gatshëm të marrë pjesë në 30% të mjeteve financiare në koston e serrës, të merret me kultivimin e blegtorisë, të posedojë së paku dy krerë lopë qumështore ose 20 krerë dele apo dhi të mbarësuara.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, subvencionomi i fermerëve duke përdorur kritere që nuk kanë qenë të shpallura dëmton transparencën dhe shfaq dyshime në tërë procesin.

Andaj, sipas ZKA-së, kryetari duhet të sigurojë se para se të bëhen shpalljet e thirrjeve publike për subvencionim të fermerëve, të bëhet një analizë e mirëfilltë e kritereve në mënyrë që ato të shpallen dhe komisionet e vlerësimit të vlerësojnë aplikacionet me përpikëri të plotë kundrejt tyre.

Për këtë gjetje, përgjigjja e menaxhmentit të Komunës është se pajtohen me gjetjet e Auditorit.

Në vitin paraprak, ZKA për komunën e Klinës kishte dhënë 12 rekomandime nga të cilat, deri në fund të auditimit për vitin 2022 janë zbatuar 5 rekomandime, 4 janë zbatuar pjesërisht dhe 3 nuk janë zbatuar ende.

Raportin e plotë me gjetjet e Auditorit për Komunën Klinës për vitin 2022 mund ta lexoni në këtë LINK.