Flamur Sefaj, ministër i Punëve të Brendshme. Foto: Facebook

Kërcënon Pacolli: Nëse Ministri Sefaj Nuk e Vazhdon Punën, AKR Del nga Qeveria

Aleanca Kosova e Re nuk e ka pranuar kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefajt, i cili vjen nga ky subjekt politik.

Kështu ka thënë zyrtari i AKR-së, Rrahim Pacolli.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Pacolli ka thënë se i bëjnë me dije kryeministrit Haradinaj se nëse ministri Sefaj nuk e vazhdon punën në Ministri, AKR do të largohet nga koalicioni qeverisës.

Ditë më parë, kryeministri Ramush Haradinaj liroi nga detyra ministrin Sefaj dhe shefin e AKI-së, Driton Gashi, pas rastit të deportimit të 6 shtetasve turq drejt Turqisë, për të cilin operacion tha se nuk ka qenë i informuar.

Ky është postimi i plotë i Rrahim Pacollit:

“AKR nuk ka pranuar kërkesën e Haradinajt për shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Deklaratat e Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, nuk përfaqëson qëndrimin unik të Aleancës Kosova e Re. I bëjmë me dije kryeministrit Ramush Haradinaj, se nëse ministri Sefaj nuk vazhdon punën në ministri, Aleanca Kosova e Re do të largohet nga koalicioni qeverisës”.