Ardiana Rama, kandidate për asambliste të Vushtrrisë - Foto: Rtv21

Këngëtarja Ardiana Rama i Hyn Politikës

Ardiana Rama edhe pse njihej si këngëtare, ka vendosur ta sfidojë vetën edhe në politikë, ku thotë se do të jetë zëri i ndryshimeve, sidomos për të rinjtë.

Ardiana e cila përgatitjen profesionale e ka për Administratë Publike, Shkencat Politike dhe Diplomaci, është kandidate për Asamble Komunale në Vushtrri nga Aleanca Kosova e Re, subjekt ky për të cilin thotë se ka për qëllim zhvillimin ekonomik dhe jo kapjen e shtetit.

Ajo thotë se duke parë gjendjen aktuale në Kosovë, ka vendosur të hyjë në politikë dhe të jep kontributin e saj.

Ardiana e ka gjetur veten në AKR sepse siç thotë ajo, është subjekt politik ku nuk të censurohet fjala por të gjithë mund të flasim, të shprehin idetë dhe mendimet e tyre.

“AKR si parti liberale gjithmonë ka për qëllim mirëqenien e qytetarit, individin, jo kapjen e shtetit. Kjo pra është ajo pse i jam bashkuar AKR”, tha ajo.

Fokusi i saj në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, thotë se do të jetë për të rinjtë.

Ajo thotë se do të jetë zëri i tyre për ndryshime. “Fatkeqësisht në Vushtrri kemi shumë të rinj të diplomuar të cilët bredhin rrugëve, prioritet i yni është kjo, mirëqenia e qytetarit, hapja e vende të reja të punës dhe zhvillimi ekonomik. Të rinjve në Vushtrri ju premtojmë që do të bëjmë Vushtrrinë sa më të dashur për ta, duke qenë dhe unë e re, i kuptoj mjaft mirë brengat e tyre dhe them që do t’i kemi prioritet”, ka thënë ajo.

Ajo duke bërë një krahasim në mes muzikës dhe politikës, thotë se kur kujton kohen kur është marrë me muzikë, thotë se ishte periudha më e bukur e jetës së saj, pasi muzika tha se të jep shumë kënaqësi. Kurse, me politikë tha se  duhet të marrësh vendime që nganjëherë nuk janë dhe të lehta.

Ardiana ka aktruar në dy seriale vendore, “Qyteti pa lumë” dhe “Shtëpia ime”.

Po ashtu ka pasur edhe një karrierë muzikore.

Me muzikë ka filluar të merret shumë herët. Në vitin 2004 me këngën e saj “Mos më prek”, ka marrë pjesë në festivalin që dikur kishte shumë bujë, “Show Fest”. Gjithashtu ka bërë edhe këngë të tjera si “Baby Boy”, “Pse je xheloz” etj. /21Media