‘Karamelet’ e Svarqës, të Shijshëm për Asamblistët e Opozitës

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa nuk sheh asgjë të “keqe” për punësimet e familjarëve të tij dhe të zyrtarëve tjerë të Lidhjes Demokratike në administratën komunale, në institucionet e arsimit, në shëndetësi dhe në ndërmarrjet publike komunale, ndonëse në zgjedhjet e fundit ai kishte premtuar se do ta ndërronte këtë logjikë.

Në debatin që ai dhe asamblistët e komunës së Ferizajt patën në emisionin e “Jeta në Komunë”, të moderuar nga Jeta Xharra, doli se shumë familjarë, e të afërm të njerëzve të LDK-së në Ferizaj janë punësuar pas marrjes së mandatit nga Muharrem Svarqa dy vjet më parë.

Lidhur me premtimin e tij dhënë dy vite më parë se do t`i krijojë 3000 vende pune, asamblistët e opozitës drejtuan akuza në drejtim të Svarqës. Sipas tyre, punësimet janë bërë në baza familjare dhe partiake. Në debat u tha se Svarqa ka punësuar gruan e tij dhe shumë persona tjerë, kryesisht familjarë të zyrtarëve të LDK-së dhe të partive në koalicionin qeverisës në Ferizaj.

“Unë po e them me përgjegjësi të plotë që të gjithë ata që kanë qenë të punësuar, asnjëri nuk ka pësuar nga ndryshimet që janë bërë në qeverisjen komunale. Asnjë nga punëtorët e PDK-së, ose tjerë nuk ka pësuar për shkak të bindjeve të tyre politike. As nuk ka pasur ndonjë privilegj ndaj të tjerëve që janë punësuar”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se “nuk ka asnjë ligj që thotë që s`duhet me punu gruaja e kryetarit”.

Gazmend Bytyqi, shef i grupit të asamblistëve të PDK-së, tha se që në fillim të punës së tij, kryetari Svarqa përmes komisionit komunal të aksionarëve ka sjellë vendime që kanë çuar në largime nga puna të atyre që s`kanë qenë të afërm të LDK-së.

“I keni larguar së paku dhjetë veteranë të luftës nga puna dhe keni vazhduar me fushatën tuaj politike duke larguar shumë nga njerëzit që ju keni menduar se janë të PDK-së, për t`i hapur rrugë shumë keqpërdorimeve të mëdha që tani janë duke ndodhur në kompanitë publike”, ka thënë Bytyqi.

Sylejman Zeka, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se qeveria e Svarqës është klienteliste dhe familjare.

“E ka punësuar gruan, pastaj djalin e vëllait të tij si arkëtar dhe kunatën e tij tek ndërmarrja ‘Pastërtia’. Pastaj kemi motrën e gruas së tij si drejtoreshë në shkollën fillore ‘Ganimete Tërbeshi’. Nënkryetari i komunës punëson vajzën e vet si financiere në QKMF, shefi i grupit të LDK-së Muhamet Qerkini e punëson vajzën e vet në administratën e komunës. Drejtori i Urbanizmit Faik Grainca punëson vajzën e tij si financiere në ‘Bifurkacion’. Drejtori i Shëndetësisë punëson vëllain e tij  në qendrën për punë sociale. Kryeshefi ekzekutiv, Heset Shatrolli punëson gruan e vet në shëndetësi. Nipi i zëvendës ministrit nga radhët e LDK Sahit Krasniqi është i punësuar si mjek etj.”, ka deklaruar Zeka.

Qazim Rrahmani asamblist nga subjekti që përfaqëson ashkalitë, PDAK, tha se të gjithë i kanë pranuar “karamelet e kryetarit”, por ai tha se vetëm për komunitetin ashkalli nuk ka patur “karamele” dhe për këtë arsye e kanë prishur marrëveshjen me Svarqën. Ai tha se ata që i kanë ngrënë karamelet e Svarqës shumë shpejtë kanë për t`u mbetur në fyt.

“E kemi një stomatolog i cili ka diplomuar, rri i pa punë, kurse kryetari e ka pru shoqen e vet në katundin tem, në qendrën e komuniteteve me punu. Pse duhet me mbet ai i papunë kur është nga komunitetet (pakicë), mos me punu te komunitetet dhe pse duhet me punu shoqja e kryetarit aty”, ka deklaruar Rrahmani.

Kryetari Svarqa tha se ai nuk bën politika fashiste ndaj askujt, dhe se ka një numër të konsiderueshëm të të punësuarve nga komunitetet.

“Nuk është e vërtetë që nuk punojnë njerëzit e komuniteteve, se po del sikur ne bëjmë politika fashiste këtu ose raciste. Ne i kemi disa të punësuar në ‘Bifurkacion’, disa i kemi në ‘Pastërtia’. Nuk e di sa, mund të jenë mbi 20, 30 apo 50”, ka potencuar Svarqa.

Gjatë debatit, për zhvillimin ekonomik, Svarqa tha se për dy vjet si kryeyar ka arritur të krijojë një konkurrencë të lirë në mes të bizneseve ferizajase.

“Në komunën e Ferizajt të gjithë operatorët ekonomikë punojnë pa ngarkesa, pa shtrëngesa, pa kushtëzime, pa shantazhim, etj. Që dëshmohet edhe me mungesën e ankesave qoftë në KRrPP, qoftë në OShP, në bazë të procedurave të cilat janë realizuar. Mendoj që ne kemi zhvilluar një konkurrencë të lirë brenda operatorëve tanë” tha ai.

Sylejman Zeka nga Vetëvendosje, tha se qeveria që udhëheq Svarqa e ka thelluar varfërinë edhe më shumë në komunën e Ferizajt.

“Është një qeverisje pa një plan të mirëfilltë. Një qeveri e paaftë për ta zhvilluar komunën, qeveri e cila e ka thelluar varfërinë në komunën e Ferizajt”, ka thënë Zeka.

Mustafa Grainca, nga PDK, tha se Svarqa e ka larguar një projekt për subvencionimin e bizneseve dhe se me këtë veprim e ka penguar zhvillimin ekonomik në komunë.

“Kjo qeverisje nuk ka vizion të zhvillimit ekonomik dhe për këtë e kam një fakt që ka të bëjë me rishikimin e planit buxhetor të 2014-ës nga qeveria komunale. Me rishikim e ka hequr projektin për subvencionimin e bizneseve në mënyrë direkte me mjete monetare”, tha Grainca.

Ai shtoi se as kolegët e tij nga PDK-ja nuk kanë qenë imunë nga joshja e partisë në pushtet LDK dhe dy asamblistë i kanë “ngrënë karamelet” dhe kanë kaluar në LDK.

Kryetari dhe asamblistët opozitarë janë përplasur rreth investimeve në infrastrukturë, problemet me ujë të pijshëm, rrjet të kanalizimit, etj.

Për ndërtimin e spitalit tek “Parku i Lirisë”, Svarqa tha se brenda mandatit të tij do të përfundojë.

“Në vitin 2016 janë të ndara 650 mijë euro për spitalin, 3 milionë janë të ndara në vitin 2017 dhe 3 milionë janë të ndara në vitin 2018. Spitali do të ndërtohet sepse është domosdoshmëri e kohës. Dhe nuk është mirë që ne ta bëjmë temë politike çështjen e spitalit. Brenda këtij mandati do të bëhet”, ka deklaruar ai.

Shpresa Azemi nga PDK-ja, tha se me ndryshimin e projektit për spitalin nga ana e qeverisë së Svarqës, ai spital nuk do t`i plotësojë nevojat e qytetarëve të regjionit të Ferizajt.

Në fund të debatit, Svarqa sërish ka premtuar se deri në fund të mandatit të tij katër vjeçar e gjithë komuna e Ferizajt do të këtë ujë të pijshëm dhe do ta ndërtojë kafazin e hekurudhës, pasiqë niveli qendror ka përfituar fonde për modernizimin e hekurudhave.

Ai po ashtu ka premtuar se dy vitet e mbetura të mandatit të tij do ta zgjidhë problemin e trajtimit të ujërave të zeza dhe të mbeturinave. Ai ka premtuar se do të shikojnë mundësitë edhe për fillimin e ndërtimit të ngrohtores së qytetit.