Foto-ilustrim

Kapen grabitësit e më shumë se 65 mijë eurove në Gjilan

65 mijë euro dhe një sasi e konsiderueshme ari, janë vjedhur në fillim të muajit korrik në shtëpinë e një qytetari në qytetin e Gjilanit nga dy persona të dyshuar.

Gjithashtu, të njëjtit persona të dyshuar, me 11 korrik kanë grabitur edhe 300 euro  një filial të postës së Kosovës në Gjilan.

Lidhur me këto grabitje, Prokuroria e Gjilanit, gjatë ditës së djeshme ka ndaluar dy persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Grabitje”.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet L. H. dhe S. H., në Gjilan me datë 3 korrik 2019, rreth orës 18:30 të armatosur dhe të maskuar, kanë depërtuar në shtëpinë e të dëmtuarit S. S., të cilët nën kanosje kanë kryer grabitjen.

“Gjithashtu, më 11 korrik 2019, në njërën nga filialet e postës së Kosovës, në Gjilan, të dyshuarit të armatosur dhe të maskuar, kanë depërtuar brenda objektit, ku fillimisht kanë sulmuar fizikisht punëtorët e kësaj pike, tani të dëmtuarit F. V. dhe E. R., ndërsa më pas nga arka kanë arritur që të marrin 300 (treqind) euro”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Njoftimi vijon se, të dyshuarit këto veprime i kanë ndërmarrë në bashkëveprim me të dyshuarin tjetër F. S., i cili është arrestuar më 24 korrik 2019.

Prokurori i rastit, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, që të dyshuarve t’ia caktojë masën e paraburgimit, në afat prej 30 ditësh.