Foto: Ilustrim

Rasti i dyshuar i mashtrimit në Klinë, arrestohen edhe 2 persona

Edhe dy persona të tjerë, të dyshuar për veprën penale – mashtrim, kanë rënë në prangat e Policisë, disa orë pas arrestimit të të dyshuarit kryesor, i cili, sipas Policisë është arrestuar në flagrancë sot, më 13.02.2024, deri sa po pranonte një shumë prej 500 euro.

Dy të arrestuarit, siç mëson KALLXO.com, janë nga Presheva, dhe dyshohet se e kanë ndihmuar të dyshuarin kryesor, i cili pretendohet se ka kërkuar mijëra euro nga një organizatë, me arsyetimin se do të ndihmonte Nezir Mehmetajn, i cili është në paraburgim në Serbi.

KALLXO.com mëson se dy të arrestuarit dyshohet se me veturë kanë dërguar të dyshuarin kryesor në Klinë.

Policia e Kosovës ka konfiskuar një veturë dhe telefonat e të dyshuarve.

Ndërkaq, një person tjetër vazhdon të jetë në arrati.

Nezir Mehmetaj, ishte arrestuar në janar të vitit 2020 në pikën kufitare në Merdarë nën dyshimet se ka kryer krime të luftës gjatë vitit 1999 në fshatin e tij të lindjes.

Për Nezir Mehmetajn kishte një urdhër-arrest aktiv nën dyshimet se si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në qytetin e Klinës kishte marrë pjesë në vrasjen dhe maltretimin e të paktën shtatë personave, përfshirë serbë dhe romë.

Policia me urdhër dhe në koordinim me Prokurorinë e Pejës gjatë ditës së sotme, 13.02.2024, zbarkoi në një lokal në Klinë për të arrestuar personin e dyshuar për veprën penale të mashtrimit.

I njëjti dyshohet se kishte tentuar që të mashtronte organizatën për përfitime të tij personale.

Siç ka mësuar KALLXO.com i dyshuari i arrestuar kishte kërkuar një shumë prej 6 mijë eurosh nga një organizatë kinse për të ndihmuar Mehmetajn, i cili aktualisht është në paraburgim në Serbi.

Në një rast të simuluar, i dyshuari ka pranuar që të dalë me përfaqësues të organizatës që u ka kërkuar të hollat dhe më pas nga të njëjtit kishte pranuar një vlerë prej 500 eurove.

Menjëherë pas këtyre veprimeve të dyshimta i njëjti është arrestuar nga organet e rendit.