Komuna e Kaçanikut
Kaçaniku me Drejtorë të Rinj dhe të Vjetër
Zgjedhjet e fundit lokale nuk sollën ndonjë ndryshim në Komunën e Kaçanikut. Edhe kësaj radhe fitues në këtë komunë doli kandidati Besim Ilazi nga PDK-ja, i cili drejton Komunën e Kaçanikut që nga viti 2012.
Për dallim prej kryetarit që do të jetë i njëjti, kabineti qeverisës filloi ndryshimet. Së pari kryetari Ilazi ndërroi zëvendësin e tij-nënkryetarin Remzi Elezi me Ylber Bajrën i cili vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pavarësisht që PDK-ja e AAK-ja nuk kanë koalicion zyrtar deri më tash për të qeverisur në Kaçanik.
Ri-emërime dhe ndryshime pati edhe tek emërimet e drejtorëve komunalë. Katër nga drejtorët e zgjedhur Ukshin Çollaku, Bahri Selimi, Ramadush Osmani dhe Diana Bajrami- Reka u ri-emëruan në pozitat që patën edhe në mandatin e kaluar.
Edhe për katër vjetët e ardhshëm Ukshin Çollaku do të jetë drejtor i Urbanizimit , Kadastrës dhe Mjedisit në Komunën e Kaçanikut.
Njësoj edhe Bahri Selimi do të vazhdojë ta udhëheqë edhe për katër vjet drejtorinë e Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit.
Pozitën e njëjtë do ta mbajë edhe drejtori i Shërbimeve Publike dhe i Emergjencave, Ramadush Osmani .
E gruas së vetme drejtoreshë në këtë komunë Diana Bajrami – Reka, as në këtë mandat nuk iu ndryshua pozita. Edhe për katër vjet ajo do të vazhdojë të udhëheqë drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Përveç këtyre ri-emërimeve, kryetari i Kaçanikut Besim Ilazi, emëroi edhe drejtorë të rinj. Zahir Doda është emëruar drejtor i Arsimit dhe Kulturës , drejtori kjo që në mandatin e kaluar është udhëhequr nga Enver Kamishi. Doda është profesor në Gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik.
Përveç tij, pozitë të re në Komunën e Kaçanikut ka marrë edhe Festim Neziraj si drejtor i Administratës Publike dhe Fatmir Loku, drejtor i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë.
Ndryshim në komunën e Kaçanikut ka qenë edhe zgjedhja e kryesuesit të ri Kemajl Murseli, i cili vjen nga PDK-ja. Deri në zgjedhjet e fundit lokale, Kuvendi Komunal është kryesuar nga Xhelal Gashi, i cili po ashtu vjen nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka pranuar për KALLXO.com se shumica e drejtorive duke përfshirë edhe kryesuesin e Kuvendit Komunal i përkasin PDK-së.
“Ylber Bajra është nënkryetar nga AAK-ja. Edhe drejtori i Bujqësisë, Fatmir Loku është nga AAK-ja. Ndërsa gjashtë drejtori janë të PDK-së përfshirë këtu edhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, Kemajl Murseli.”, tha Ilazi.
Kryetari Ilazi pranoi po ashtu se nuk ka koalicion mes PDK-së dhe AAK-së për komunën e Kaçanikut, por sipas tij ky është vetëm një dakordim.
“Nuk e kemi zyrtarizuar koalicionin me AAK-në, por jemi dakorduar”, deklaroi Ilazi për KALLXO.com.
KALLXO.com kishte shkruar për zgjedhjen e kryesusit të Kuvendit Komunal të Kaçanikut.
http://kallxo.com/kuvendi-i-kacanikut-me-tjeter-kryesues/