Pamje nga një seancë e kaluar e gjyqit kundër Naser Kelmendit - Foto: KALLXO.com

K1: Prokurorët në Bosnjë të Lidhur me Krimin

Dëshmitari K1 në mënyrë të detajuar tregoi veprimtarinë e grupeve kriminale në Bosnjë për të cilat ka punuar.

Ai duke dëshmuar me video-lidhje pranoi se punoi me shumë grupe kriminale.

“Unë kam përzi me të gjithë, me Naser Kelmendin, me Zijad Turkoviqin, me Lubisha Qumen e më shumë grupe tjera,”  tha K1.

Dëshmitari deklaroi se e ka paralajmëruar Ramiz Delaliqin se do  të vritet dhe se ai i është përgjigjur se askush nuk mund t’i bëjë asgjë.

Delaliq u vra në vitin 2007 në qendër të Sarajevës, ndërsa për vrasjen e tij akuzohet Naser Kelmendi.

Dëshmitari tregoi se për vrasjen e Delaliiqit ishin premtuar 200 mijë euro nga Naser Kelmendi, Lubisha Qume, Ekrem Llekiqi  dhe Fahredin Radonçiqi e këto para sipas të koduarit me shifrën K1 do t’i jepeshin personit me pseudonimin “Rasheta”, për të cilin tha se ishte vrasës profesionist.

“Sipas marrëveshjes ‘Rasheta’ do ta vriste Ramiz Delaliqin për 15 ditë. ‘Rasheta’ i shantazhonte duke i kërkuar 1 milion euro në mënyrë që të mos i lajmëronte në organet e shtetit. Naseri, Ekremi dhe Fahrudini i thanë se do t’ia jepnin, por pas vrasjes së Ramizit. ‘Rashetën’  e vranë duke ia vendosur një mjet eksploziv nën veturë dhe duke ia dërguar një mesazh ‘ja ku i ke paratë tani’,” tha K1.

Dëshmitari tha se në lidhje me një përzierje të drogës ku ka qenë i përfshirë Naser Kelmendi i është dashur ta pranojë fajësinë pasi sipas tij këtë ia kishte kërkuar prokurori duke i premtuar se nëse do ta pranonte fajësinë do të lirohej shumë shpejt.

“Unë e kam nënshkruar një deklaratë që e kanë përgatitur ata si kanë dashur, kështu funksiononin punët në Bosnjë,” vazhdoi dëshmitari.

K1 tregoi se si është bërë dëshmitar i mbrojtur.

“Unë kam hyrë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve pas raportimeve që kam bërë për vrasjet që kanë ndodhur në bazë të urdhrave të Naser Kelmendit dhe Zijad Turkoviqit. Unë i kam raportuar prokurorit për një vrasje në të cilën janë vrarë Nikiqi dhe gruaja e tij e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënësisë,” sqaroj K1.

Sipas K1 edhe pse e ka  lajmëruar prokurorin për vrasjen, ai nuk ka shprehur interesim për ta zbuluar bile tha se Turkoviqi së bashku me prokurorin me të cilin dëshmitari kishte bashkëpunuar kanë dashur ta vrasin atë.

“ Unë e pata lajmëruar prokurorin se do të jem afër vendit të krimit dhe kur ndodhi vrasja, edhe pse unë e kisha thirrur sepse isha vetëm 200 metra larg vendit të krimit, prokurori nuk më është përgjigjur. Më pas unë e kam marrë një informatë se prokurori së bashku me Turkoviqin kanë dashur të më vrasin, por unë kam shkuar në një kasolle në një pjesë të largët të malit, në një kasolle të vogël për t’u mbrojtur,” vazhdoi rrëfimin dëshmitari.

Zijad Turkoviq u dënua vitin e kaluar në Bosnjë me 40 vjet burg si drejtues i një organizate kriminale.

K1 tha se ai është bërë dëshmitari i parë i mbrojtur në Bosnjë për shkak se ka dhënë informata të detajuara për vrasjet ku ishin përfshirë shumë persona duke akuzuar kështu edhe prokurorë.

“Pasi shkova në mal e thirra gruan në telefon dhe i tashë ta lajmërojnë Kryeprokurorin e Bosnjës për të bashkëpunuar, ai  e ka dërguar një inspektor të policisë për të më marrë dhe kur kam shkuar në prokurori. Më ka pritur edhe prokurori që ka dashur të më  vrasë dhe më ka thënë ‘nuk duhet me u brengos sepse gjithçka do të rregullohet’, e unë i kam thënë ‘Ti duhet të brengosesh për veten’. Gjatë dëshmisë sime prokurori që deshi të më vrasë ka dashur të shkojë në tualet, por duke ecur ka pësuar sulm në zemër,” shpjegoi dëshmitari K1.

Dëshmitari tha se për atë prokuror tash është duke u bërë një hetim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rrjedhën e këtij rasti.

http://kallxo.com/deshmitari-pronat-e-kelmendit-nga-dubai-ne-rusi/