Gjykimi ndaj Naser Kelmendit në Gjyaktën e Apelit - 31.07.2023

Naser Kelmendi para Gjykatës së Apelit, Prokuroria kërkon dënim më të ashpër

Naser Kelmendi ka dalur sot para Gjykatës së Apelit në seancën e cila u mbajt lidhur me aktgjykimin dënues të majit të këtij viti për veprën penale të trafikimit me narkotikë.

Gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar Kelmendin me 4 vite e 8 muaj burgim.

Me këtë vendim të trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Suzana Qerkini nuk u ndanë të kënaqur mbrojtja e as Prokuroria.

Prokuroria ka paraqitur ankesë vetëm sa i përket dënimit, gjegjësisht ka kërkuar që Kelmendit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Ndërsa mbrojtja me avokatin Besnik Berisha në përgjigjen në ankesë ka pretenduar se bazat ankimore të ankesës së Prokurorisë janë të paqëndrueshme dhe duhet të refuzohen në tërësi.

Ankesë në raport me aktgjykimin ka bërë edhe mbrojtja për sa i përket shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe në këtë kontekst ka kërkuar që Kelmendi në tërësi të lirohet nga akuzat.

Në seancë nuk prezantoi askush nga ana e Prokurorisë për të elaboruar në ankesën e parashtruar.

Berisha në seancë lidhur me këtë gjykim tha se “gjykata e shkallës se parë nuk ka dhënë drejtësi dhe ka provuar se nuk ka guxim të jap drejtësi”

Berisha i kërkoi gjykatës së apelit që për hir të sigurisë juridike të rrëzojë aktakuzën e cila i bie në barrë Naser Kelmendit.

Kurse Naser Kelmendi tha se e mbështet fjalën e avokatit të tij.

Kolegji shqyrtues i gjykatës së Apelit ishte në përbërje nga Kreshnik Radoniqi – kryetar, Burim Ademi – gjyqtar raportues dhe Vaton Dërguti – anëtar i kolegjit.

Historiku

Sipas dosjes së Prokurorisë, Naser Kelmendi në bashkëkryerje me dëshmitarin K2, ka bërë shpërndarjen e më shumë se 25 kilogramëve heroinë nga Bosnja në Austri.

I njëjti për këtë vepër ishte dënuar me 6 vite burgim nga gjykata e shkallës së parë në vitin 2018, kurse gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Prokuroria e kishte akuzuar Kelmendin edhe për vrasje të rëndë, por Gjykata Themelore e kishte dënuar vetëm për pikën 8 të aktakuzës që ka të bëjë me trafikimin e narkotikëve, kurse për veprat e tjera e kishte liruar nga akuzat.

Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të Suzana Çerkini – kryetare dhe anëtarët Violeta Namani dhe Musa Konxheli, kanë shpallur aktgjykimin dënues ndaj Kelmendit në maj të këtij viti.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Naser Kelmendi pasi dëshmitari K2, nuk kishte mundur t’ia kthente shumën e të hollave prej 11 mijë eurove me kamatë e kishte urdhëruar K2 që të marrë një veturë VW-Caddy në Tuzla në Austri për të sjellë në Bosnjë një mbulesë të rimorkios si këmbim për t’ia hequr një pjesë të kamatës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi K2 kishte marrë veturën VW Caddy, siç ishte urdhëruar nga Naser Kelmendi kur kishte arritur në Austri e kishte lënë veturën në një fabrikë.

Sipas Prokurorisë me t’u kthyer gjatë natës në fabrikën ku e kishte lënë veturën  kishte parë dy meshkuj që shkarkonin një sasi të madhe të heroinës të mbështjellë në formë të kubit të nxjerra nga mbulesa e brendshme e tavanit të veturës.

Sipas aktakuzës, K2 kishte shpjeguar se ‘’Jam i sigurt se sasia e drogës ishte shumë më e madhe se ajo që e kisha transportuar nga Turqia, meshkujt që po i shkarkonin më thanë se ajo ishte heroinë’’.

I njëjti akuzohet se ka kryer këto veprime në Bosnje, mirëpo shteti i Kosovës i ka lejuar që për këto akuza të gjykohet në Kosovë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK