Gjykata vendos për Naser Kelmendin

Naser Kelmendi, i akuzuar për trafikim të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike është gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës.

Kelmendi është dënuar me burgim prej 4 vite e 8 muajsh, koha e kaluar në paraburgim do t`i llogaritet në dënim.

Foto nga shpallja e aktgjykimit dënues ndaj Naser Kelmendit – 18.05.2023 – FOTO: Aulona Alaj / KALLXO.com

Sipas dosjes së Prokurorisë, Naser Kelmendi në bashkëkryerje me dëshmitarin K2, ka bërë shpërndarjen e më shumë se 25 kilogramëve heroinë nga Bosnja në Austri.

I njëjti për këtë vepër ishte dënuar me 6 vite burgim nga gjykata e shkallës së parë në vitin 2018, kurse gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Prokuroria e kishte akuzuar Kelmendin edhe për vrasje të rëndë, por Gjykata Themelore e kishte dënuar vetëm për pikën 8 të aktakuzës që ka të bëjë me trafikimin e narkotikëve, kurse për veprat e tjera e kishte liruar nga akuzat.

Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të Suzana Çerkini – kryetare dhe anëtarët Violeta Namani dhe Musa Konxheli, kanë shpallur aktgjykimin dënues ndaj Kelmendit.

Në sallën e gjykimit nuk ishte prezent Naser Kelmendi, por ka prezantuar avokati i tij Besnik Berisha.

Trupi gjykues si rrethanë rënduese me rastin e shqiptimit të dënimit ndaj Naser Kelmendit e konsideroi metodën e sofistikuar të fshehjes së narkotikëve dhe karakterin transkufitar, kurse rrethanë lehtësuese kohën e kaluar prej kur e ka kryer veprën.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Naser Kelmendi pasi dëshmitari K2, nuk kishte mundur t’ia kthente shumën e të hollave prej 11 mijë eurove me kamatë e kishte urdhëruar K2 që të marrë një veturë VW-Caddy në Tuzla në Austri për të sjellë në Bosnjë një mbulesë të rimorkios si këmbim për t’ia hequr një pjesë të kamatës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi K2 kishte marrë veturën VW Caddy, siç ishte urdhëruar nga Naser Kelmendi kur kishte arritur në Austri e kishte lënë veturën në një fabrikë.

Sipas Prokurorisë me t’u kthyer gjatë natës në fabrikën ku e kishte lënë veturën  kishte parë dy meshkuj që shkarkonin një sasi të madhe të heroinës të mbështjellë në formë të kubit të nxjerra nga mbulesa e brendshme e tavanit të veturës.

Sipas aktakuzës, K2 kishte shpjeguar se ‘’Jam i sigurt se sasia e drogës ishte shumë më e madhe se ajo që e kisha transportuar nga Turqia, meshkujt që po i shkarkonin më thanë se ajo ishte heroinë’’.

I njëjti akuzohet se ka kryer këto veprime në Bosnje, mirëpo shteti i Kosovës i ka lejuar që për këto akuza të gjykohet në Kosovë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK