Dështon edhe një seancë ndaj Naser Kelmendit

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj Naser Kelmendit, i akuzuar për trafikim të narkotikëve.

Seanca fillimisht u shtye për shkak të mungesës së të akuzuarit Naser Kelmendi dhe avokatit të tij Besnik Berisha, të cilët mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Poashtu  kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini,  konstatoi se nga zyrtari për bashkëpunim ndërkombëtar përmes rrugës diplomatike lidhur me dëshmitarin ‘K2’ ende nuk kanë përgjigje.

Prokurorja e rastit Merita Rugova edhe sot mbeti pranë propozimit që të dëgjohet dëshmitari ‘K2’ përmes rrugës diplomatike për të dëshmuar në këtë rast.

Deri sa ishte duke u larguar trupi gjykues nga salla e gjykatës hynë i akuzuari Naser Kelmendi dhe avokati Besnik Berisha.

Ndërsa avokati Besnik Berisha, lidhur me këtë rast deklaroi se ky dëshmitar është dëgjuar më herët, është marrë në pyetje më herët, të gjitha pyetjet lidhur me këtë dëshmitar janë konsumuar.

Poashtu avokati Besnik Berisha, e “pyeti gjykatën se a keni vullnet me gjyku këtë çështje e jo me prit pakufi na me përfundu gjykimi”.

Seanca e radhës u shtye në kohë të pacaktuar deri në marrjen e përgjigjes nga zyra për bashkëpunimin ndërkombëtar.

Sipas pikës 8 të aktakuzës, i akuzuari Naser Kelemendi pasi dëshmitari K2,  nuk kishte mundur t’ia kthente shumën e të hollave prej 11 mijë eurove me kamatë e kishte urdhëruar K2 që të marrë një veturë VW-Caddy në Tuzla në Austri për të sjellë në Bosnjë një mbulesë të rimorkios si këmbim për t’ia hequr një pjesë të kamatës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi K2 kishte marrë veturën VW Caddy, siç ishte urdhëruar nga Naser Kelmendi kur kishte arritur në Austri e kishte lënë veturën në një fabrikë. Me t’u kthyer gjatë natës në fabrikën ku e kishte lënë veturën  kishte parë dy meshkuj që shkarkonin një sasi të madhe të heroinës të mbështjellë në formë të kubit të nxjerra nga mbulesa e brendshme e tavanit të veturës.

Sipas aktakuzës, K2 kishte shpjeguar se ‘’Jam i sigurt se sasia e drogës ishte shumë më e madhe se ajo që e kisha transportuar nga Turqia, meshkujt që po i shkarkonin më thanë se ajo ishte heroinë’’.