Më 18 maj pritet të shpallet aktgjykimi për Naser Kelmendin

I akuzuar për trafikim me narkotik, Naser Kelmendi sot qëndroi i ulur në bankën e të akuzuarit para trupit gjykues të Departamentit special në Gjykatën e Prishtinës.

Në maj të këtij viti shënohet një dekadë prej që është prangosur për herë të parë i akuzuari Naser Kelmendi, për të cilin akoma nuk ekziston një vendim i formës së prerë.

Për rastin e kthyer në rigjykim nga gjykata e shkallës së dytë, palët dhanë fjalët përfundimtare.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Merita Bina-Rugova në fjalën e saj ka kërkuar nga gjykata që i akuzuari të dënohet për veprën me të cilën akuzohet.

Me këtë rast, ajo përmendi si provë faktin se deklaratat e dëshmitarëve të njohur si K1 dhe K2 janë identike me njëra-tjetrën si dhe faktin se i akuzuari ka qenë i kërkuar në nivel ndërkombëtar.

E njëjta, me qëllim të minimizimit peshës së dëshmisë së njërit prej dëshmitarëve të mbrojtjes, ka deklaruar se i njëjti ka qenë për shumë vite avokat i të akuzuarit, e për këtë arsyje deklaratat e tij nuk mund të jenë objektive.

Ky deklarim ngjalli reagime në sallën e gjykimit. Avokati mbrojtës i të akuzuarit, Besnik Berisha ka reaguar ndaj prokurores duke e kundërshtuar këtë deklaratë, duke thënë se “e njëjta po ofendon togën e profesionit të avokatit”.

Po ashtu, ndër tjerash Bina – Rugova ka përmendur edhe një “listë të zezë” ku është përmendur i akuzuari.

Këtë Berisha e ka kundërshtuar, duke pretenduar se kjo është një provë e cila nuk është administruar në shqyrtim gjyqësor dhe të njëjtën e ka quajtur spekulim.

Trupi gjykues, me kryetaren Suzana Çerkini, në lidhje me këtë morën aktvendim me të cilin udhëzuan prokuroren që të i përmbahen provave të administruara në shqyrtim.

E si “provë me rëndësi vitale në akuzë”, Prokurorja ka përmendur edhe dëshminë e dëshmitarit me pseudonimin K2.

Këtë provë të Prokurorisë avokati Berisha në fjalën përfundimtare e diskreditoi, duke e quajtur dëshmitarin e njëjtë si “kriminel i cili ka kryer krime monstruoze dhe i cili ka pasur motive personale për të dëshmuar kundër të mbrojturit të tij”.

Tutje, i njëjti u shpreh se konkluzionet e Prokurorisë janë arbitrare dhe se nuk përkojnë me parimin “In dubio pro reo”.

Kurse dëshmitarin e njohur si K1, Berisha e ka quajtur “shantazhuesin e drejtësisë”.

Në fund, mbrojtja ka kërkuar që gjykata të lirojë Kelmendin nga akuzat, t’i kërkojë falje si dhe ta kompensojnë për traumat të cilat i ka përjetuar nga ky rast.

Gjykata e shpalli këtë shqyrtim gjyqësor të mbyllur, kurse shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 18 maj.

Në vitin 2018 Naser Kelmendi është dënuar me 6 vite burgim nga gjykata e shkallës së parë.

Ndërsa këtë vendim, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim për pikën 8 të aktit akuzues.

Ai është gjetur fajtor në pikën e akuzës për “posedim me qëllim të shpërndarjes së narkotikëve” ndërsa është shpallur i pafajshëm në tetë pika të tjera, përfshirë edhe ato për krim të organizuar dhe vrasje.

Naser Kelmendi akuzohej për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

I njëjti akuzohet se ka kryer këto veprime në Bosnje, mirëpo shteti i Kosovës i ka lejuar që për këto akuza të gjykohet në Kosovë.