Jahjaga Vazhdon me Takime Individuale

Vazhdimin e përpjekjeve të Jahjagës për daljen e vendit nga kriza politike e konfirmon për KALLXO.com Departamenti i informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencë

“Presidentja Jahjaga do të vazhdojë angazhimin e saj për dialog ndërmjet partive politike parlamentare për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend. Në takimin e djeshëm agjenda nuk ka qenë e paracaktuar dhe liderët kanë zgjedhur vetë çfarë kanë ngritur. Fokusi i takimit ka qenë tejkalimi i situatës së krijuar në vend,” thuhet në përgjigjen e Zyrës sëPresidencës.

Një burim brenda Presidencës i tha KALLXO.com se “Presidentja së shpejti do të vazhdojë me takime individuale me subjektet politike“.

Dje Presidentja u takua me disa nga liderët kosovarë, por analistët politikë nuk shohin dalje nga kriza me anë të këtyre takimeve.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se jahjaga nuk duhet të vazhdojë takimet, nëse takimi i djeshëm nuk jep shpresë për tejkalim të gjendjes aktuale.

“ Unë nuk besoj që presidentja ka nevojë të bëjë më ftesa nëse takimi i djeshëm ka treguar se nuk mund të shkohet tutje në kuptimin që qëndrimet kanë qenë diatremetralisht të kundërta. Janë takime të pafrytshme dhe nëse arrihet diçka nuk do të jetë ndonjë zgjidhje për krizën, sepse kjo nuk do të jetë nga Presidentja,” tha Imer Mushkolaj.

Belul Beqaj mendon se ShBA-ja dhe BE-ja duhet ta imponojnë zgjidhjen.

“ Mendoj se do të ishte shumë më korrekte për qytetarët e Kosovës dhe lidershipin politik që ShBA-ja dhe BE-ja të vendosin vetë për hapat e mëtejmë sesa të ia imponojnë lidershipit skenarin që e ka, apo do ta bëjë bashkësia ndërkombëtare, ngase ky lidership të gjitha vendimet  i ka marrë  sipas rekomandimeve nga të huajt dhe i ka promovuar dhe implementuar keq, sikur të ishin të tyre,” tha Beqaj.

Ai tha se i vetmi lider opozitar i pranishëm në takimet te Presidentja, Ramush Haradinaj, mori pjesë për arsye të etjes për pushtet.

“Nëse politika kosovare ka protagonist që nuk mëson as nga gabimet e veta , atëherë ky është  Z. Ramush Haradinaj. Nga këto biseda ai do të del humbësi më i madh edhe nëse bëhet pjesë e pushtetit, ngase do të zbardhet motivi i tij i paepur për pushtet në saje të cilit do të rrezikojë seriozisht prestigjin fituar në luftë”, deklaroi ai.

Por Mushkolaj ndryshe e pa shkuarjen e Haradinajt te Presidentja.

“Sa i përket takimit të djeshëm unë mendoj që rëndësia e tij është bërë më e madhe se që do të duhej të ishte, sepse ne aty e pamë z. Haradinaj nuk doli jashtë kërkesave të opozitës dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme qëështë edhe kërkesë e opozitë së bashkuar,” tha Mushkolaj.

Beqaj thotë se as zgjedhjet e reja nuk do të sjellin ndryshime.

“E vetmja gjë që nuk do të ndryshojë është – pushtetofobia, e cila do të dërrmojë seriozisht  qytetarët dhe shtetin e Kosovës,” tha Beqaj.