Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga - Foto: KALLXO.com

Jahjaga: Stigmatizimi i të Dhunuarve Gjatë Luftës, Turpi i Shoqërisë Tonë

Ish-presidentja e Kosovës dhe themeluesja e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës, Atifete Jahjaga nuk u shpreh e kënaqur me numrin e viktimave që aplikuan për njohjen e këtij statusi.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Jahjaga dënoi ashpër stigmatizimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Sa herë që flas për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, unë nuk mund të flas pa emocione. 19 vite më parë ne kemi trashëguar një shtet i cili ka qenë tërësisht i shkatërruar, jo vetëm në aspektin e infrastrukturës por edhe në aspektin njerëzor dhe human. Ne kemi trashëguar një shtet që ka pasur rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale, gra dhe burra.. dhe për turpin tonë si shoqëri edhe pas përfundimit të luftës i kemi mbuluar me vellon e turpit”, tha Jahjaga.

Ajo tregoi të dhëna nga procesi i aplikimit të viktimave të dhunimit për statusin e të mbijetuarit që sipas saj nuk është i kënaqshëm.

“Procesi po shkon mirë por unë nuk jam e kënaqur me numrin e aplikuesve dhe numrin e atyre që kërkojnë këtë të drejtë, deri më tani janë 20 apo 30 dhe unë kërkoj publikisht ndaj secilës viktimë që të shfrytëzojë këtë të drejtë ligjore”, tha Jahjaga.

Përballë Jeta Xharrës, ish -kreu i vendit flet për disa nga vendimet më të rëndësishme që ka marrë si Presidente dhe detaje të pazbuluara më parë të kohës sa ishte në udhëheqje.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: