Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Ja sa është importi i mallrave nga Serbia dhe Bosnja sot

Janë bërë gjashtë ditë që kur Qeveria e Kosovës ka rritur në 100 për qind masën mbrojtëse ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës.

Importi i mallrave nga këto dy shtete ka rënë në zero sipas Doganës së Kosovës.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për KALLXO.com se vetëm dy maune kanë hyrë në territorin të Kosovës nga këto dy shtete.

Këto maune kanë paguar masën mbrojtëse prej 100 për qind.

“Fluksi i importit të mallrave prej Serbisë dhe Bosnjës ka rënë në zero. Realisht në javën e parë të zbatimit të ndalesës prej 100 për qind, vetëm dy maune kanë hyrë në territorin e Kosovë, njëra nga Bosnja dhe njëra nga Serbia e që e kanë paguar taksën prej 100 për qind”, ka thënë Stavileci.

Kryeministri i Kosovës kishte deklaruar se vendosja e kësaj mase mbrojtëse vjen pasi Qeveria ka analizuar respektimin e marrëveshjes së CEFTA-s.

Sipas kryeministrit Serbia disa herë ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s, ku shtoi edhe pengesat politike që ky shtet po ia bën Kosovës.

“E ka vështirësuar dakordimin e analizave për çdo produkt që ka hyrë, ka vendosë procedurë të verifikimit të analizës dhe e ka bërë të pamundur të hyjë ose të transportohet. Ka penguar transportin, pra vulat e dyfishta. Ka përdorur plot masa, me të cilat Serbia nuk e ka respektuar CEFTA-n. Edhe pse Kosova është ankuar disa herë radhazi te CEFTA dhe institucione tjera të BE-së, prapë Serbia nuk e ka respektuar këtë masë, shtuar këtu edhe agresivitetin politik, pengesat që ia bënë vendit”, kishte deklaruar Haradinaj.

Taksa 100 % për Serbinë