Konfiskohen mallra të kontrabanduara në Jarinje e Viti

Policia e Kosovës gjegjësisht njësitet e Task Forcës–Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës në Viti dhe Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NjNSh) në Jarinje, kanë kontrolluar dy automjete dhe kanë konfiskuar mallin e kontrabanduar.

Ky aksion është realizuar në kuadër të të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës.

“Në rastin e parë, në rajonin e lindjes, me datën 20.11.2023, është vërejtur një automjet i dyshuar pa targa i cili po lëvizte në rrugën Kabash-Smirë-Viti, i cili përkundër urdhrave të zyrtarëve policorë për ndalim ka tentuar që të largohet, ku gjatë ikjes ka shkaktuar aksident trafiku me njërën nga veturat zyrtare të PK-së dhe si përfundim është ndaluar nga zyrtarët policorë” – thuhet në komunikatën e policisë.

Më tej policia ka njoftuar se të dyshuarit mashkull kosovar me iniciale M. M.  gjatë kontrollimit të mjetit që e drejtonte i janë gjetur mallra të ngarkuara në vlerë tregu mbi 25,000 euro, mallra të cilat dyshohet se janë kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga RMV – RKS.

Të dyshuarit, M. M. i janë gjetur në veturë, poça elektrikë – 7100 copë, rrush i terur rreth 300 kg, arra të qëruara rreth 1040 kg, arra indiane rreth 200 kg, tekstil jakne 158 copë, çanta krahu për femra 55 copë, jelek-mont 25 copë, çorape 6 palë dhe 1 palë këpucë për femra.

“Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent në Gjilan  i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti i përfshirë në rast dërgohen në terminalin doganor Dheu i Bardhë”-  thuhet në komunikatën e policisë

Po ashtu në të njëjtën datë, në rajonin e veriut, gjatë një patrullimi nga NjNSh në Jarinje është gjetur një veturë  e braktisur në fshatin Jellakce, ku e njëjta po ashtu ishte pa targa, në të cilën ndodheshin mallrat e kontrabanduara (pije alkoolike dhe të gazuara).

Policia e Kosovës thotë se lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, është bërë tërheqja e mjetit i cili është dërguar në terminalin doganor Mitrovicë, në ndërkohë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, për procedurat e mëtejme hetimore.