Isa Mustafa: Prishtina do të Ketë Ujë të Mjaftueshëm

Në Ditën Botërore të Ujit, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se Prishtina dhe komunat rreth saj pritet që ta heqin qafe problemin e furnizimit me ujë të pijshëm kur të ndërtohet fabrika e re në Shkabaj.

Mustafa dhe ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Kristina Marty- Lang, vizituan sot vendin ku po kryhen punimet në fabrikën e re të ujit.

Vizita vjen një javë pasi në opinion plasën akuzat për dëmtim të mbi 300 gypave të kësaj fabrike, të ngritura nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, por kjo çështje nuk u prek fare nga kryeministri gjatë kësaj vizite.

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, tha se janë të mirëseardhur të gjithë ata që dëshirojnë ta shikojnë dinamikën e punës së ujësjellësit.

“Shpresojnë që për vizitë të vijnë të gjithë ata të cilët janë të interesuar që të vijnë dhe të shikojnë se çfarë po ndodhë në ujësjellësin e Prishtinës, dhe dinamikën e punimeve në këtë fabrikë”.

http://kallxo.com/gypat-e-vjeter-ne-fabriken-e-re-te-ujit/

Ndërsa Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se Ujësjellësi do të jetë një kapacitet i domosdoshëm jo vetëm për Prishtinën por për gjithë regjionin sepse ky ujësjellës furnizon më tepër se 8 komuna.

“Është fjala për prodhimin e një sasie të ujit prej 700 litra në sekond që pastaj kur i shtohet edhe fabrikave tjera të ujit, i kënaq nevojat e tanishme të Prishtinës dhe komunave përreth, dhe do të jetë një kontribut shumë i rëndësishëm i donatorëve tonë, i investitorëve dhe i qytetarëve të Republikës së Kosovës.”

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-kerkon-hetime-per-gypat-e-ujesjellesit/

Ai falënderoi donatorët dhe ambasadoren zvicerane që, sipas tij, i kanë dhënë një prioritet sigurimit dhe menaxhimit të ujit në Kosovë, dhe për qytetarin e Kosovës nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa uji në këto momente.

Mirëpo kryeministri Mustafa nuk ka dashur t’i komentojë protestat e gazetareve te cilat janë mbajtur sot pas një kërcënimi që është raportuar  t’ia ketë bërë gazetarit Vehbi Kajtazi.

“Sot uji është më i rëndësishëm se çdo mendim dhe çdo protestë”, tha Mustafa.

Ndërsa Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani tha se sot kanë dalë të shënojnë për ta dëshmuar, siç u shpreh, përkushtimin e qeverisë ndaj çështjes së ujit.

“Dua ta paralajmëroj edhe përfundimin e konstruksionit financiar të fabrikës për trajtimin e ujërave të zeza për kryeqytet dhe fillimin e punëve në fabrika të ngjashme në Prizren, Gjakovë dhe Pejë, gjatë këtij viti dhe vitit që vjen”, tha Agani

Ai shtoi se po dëshmojnë se kjo çështje e cila ka ngelur e hapur nga shërbimet publike, do të gjeje përgjigjen e duhur institucionale në periudhën që vjen.