Fidel Krasniqi, Foto: Facebook

Incident në Telekom: Ngriten zërat në takimin e drejtorit me ish-anëtarin e Bordit

Ish- anëtari i Bordit të drejtorëve të Telekomit, Fidel Krasniqi ka pranuar se javën e kaluar ka pasur një incident në ndërtesën e Telekomit më saktësisht në zyrën e drejtorit teknik të këtij institucioni ku janë ngritur zërat.

Në një bisedë telefonike për KALLXO.com, Krasniqi i ka quajtur shpifje, raportimet se ai së bashku me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Telekomit, Bedri Istrefi kanë pasur ndonjë incident fizik.

“Unë kam qenë ish- anëtar i Bordit dhe kam qenë anëtar i komisionit të auditimit. Ne kemi pasur në bazë të ligjit të auditimit me i kërku disa raporte, çështje procedurale. Unë kam dhënë dorëheqje prej Bordit rrjedhimisht edhe prej komisionit të auditimit. I kam pasur disa procedura, është dashur t’ia shpjegoj pasi që kemi pasur mosmarrëveshje procedurale teknike edhe i kemi sqaruar ato mosmarrëveshje. Kam dalë prej aty. I kam dëgju disa raporte ‘se jo e kanë marrë sigurimi’, ato janë shpifje, mua sigurimi as që më ka prek, as nuk kemi pasur asnjë përleshje absolutisht asgjë”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Tutje, Fidel Krasniqi tregoi se ka pasur mundësi që është ngritur toni i zërit, por përsëri mohon se ai ton i zërit më pas mund të kishte kaluar në ndonjë incident.

“Ndoshta ka pasur mosmarrëveshje kështu po mosmarrëveshje të nivelit të ulët. Nuk ka pasur mosmarrëveshje që ka kaluar në ndonjë incident. Ka mujt me ngrit zanin ndoshta por s`ka pas incident. Tani jemi në rregull, nuk kemi asnjë problem. I kam rregulluar raportet, tani unë nuk kam asnjë obligim për Telekomin, i kam dorëzuar të gjitha dokumentet, mosmarrëveshjet i kemi rregullu”, tha ai për KALLXO.com.

Raportimet e mediave kanë qenë që i njëjti është larguar nga ana e sigurimit nga zyra e drejtorit teknik të Telekomit, pasi që i njëjti donte udhëheqjen e zyrës së drejtorit teknik.

Sipas Krasniqit, kjo situatë: “Nuk e di se kujt po i konvenon”, por që sipas tij nuk është duke u marrë me këtë pjesë.

“Për t`u bërë shef i drejtorisë teknike janë disa procedura duhet me u hap konkursi, duhet të aplikohet, janë kriteret dhe dikush zgjidhet. Nuk shkojnë aso procedura qysh po mendoni. As unë nuk jam aso personi që shkoj, janë shpifje të gjitha. Nuk e di kujt po i konvenojnë por me të thënë të drejtën nuk jam duke u lodhur për këtë punë”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Në lidhje me të njëjtën ngjarje KALLXO.com ka provuar ta kontaktoj edhe Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Telekomit, Bedri Istrefin.

I njëjti nuk i është përgjigjur telefonatave të KALLXO.com ndërsa vetëm disa minuta më pas ka fikur telefonin.