Incident në degën e PDK-së në Gjilan

Në degën e PDK-së në Gjilan ka pasur incident të hënën në mbrëmje, kur dy anëtarë të kryesisë raportohet t’i kenë qëruar hesapet e tyre edhe fizikisht.

KALLXO.com merr vesh se Hevzi Xhelili dhe Riad Rashiti janë përleshur pas mbledhjes së kryesisë së degës qendrore të PDK-së.

Mirëpo Hevzi Xhelili deklaron se nuk ka pasur përleshje fizike, por vetëm verbale, ndërsa thotë se krejt kjo ka ardhë për shkak të mosmarrëveshjeve private e jo për çështje politike partiake.

“Nuk kemi pasur përleshje fizike, verbale po a fizike jo, kemi pasur një mosmarrëveshje private nuk kemi pasur me partinë, gjithçka ka qenë në rregull, kuvendi ka mbajtur punimet, mosmarrëveshja ka qenë për shkaqe personale”, tha Hevzi Xhelili për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të marrë edhe një deklaratë të Riad Rashitit por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ai përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur se gjatë ditës do ta publikojë reagimin e tij dhe një video të ngjarjes.

“Pas trazirave të portaleve, te berberi me famë evropiane…Pas pak shkojmë me reagimin e ngjarjes të dal nëpër media… reagimit ia bashkëngjisë edhe një video të ngjarjeve ne PDK-në e Gjilanit..”, ka shkruar Rashiti në Facebook.

KALLXO.com merr vesh se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas përfundimit të takimit gjatë daljes nga zyrat e partisë.

Hevzi Xhelili është asamblist i Kuvendit Komunal të Gjilanit.

PDK ka filluar t’i mbajë zgjedhjet e brendshme nëpër degët e saj.