Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

PDK përjashton tre anëtarët e degës në Gjilan, thotë që bashkëpunuan me LVV-në

Partia Demokratike e Kosovës ka përjashtuar tre anëtarë të saj nën arsyetimin se nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake për të pezulluar çdo komunikim zyrtar dhe bashkëpunim institucional me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas njoftimit, tre anëtarët e përjashtuar janë Leonora Morina – Bunjakun, Enver Shabanin dhe Bajram Isufin, të degës së PDK-së në Gjilan.

“Zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë”- ka njoftuar PDK.

Vendimi për përjashtimin e tyre është marrë sot në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së.

Këshilli Drejtues i PDK-së, më 3 korrik 2023, kishte marrë vendim për pezullimin e çdo komunikimi zyrtar dhe ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, si dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Përvec kësaj në mbledhjen e mbajtur sot u diskutua për aktualitetin politik në vend, përfshirë skandalet dhe aferat e njëpasnjëshme të Qeverisë.

PDK ka vlerësuar se gjendja në Kosovë, për shtetin dhe qytetarët, është e rëndë dhe vjen si pasojë e paaftësisë qeverisëse, keqqeverisjes dhe abuzimeve të shumta.

“Për PDK-në, kjo Qeveri tashmë e ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme”- thuhet në komunikatë.

PDK kërkon zgjedhje të parakohshme, ndërpret çdo komunikim zyrtar me kryeministrin dhe presidenten “përveç në situata të jashtëzakonshme”