Foto: Facebook/Riad Rashiti

Balotazhi në Gjilan, PDK: LVV dhe LDK na kanë ofruar takime

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka bërë të ditur për KALLXO.com se kanë pasur ftesa për takime nga dy partitë që do të ballafaqohen në balotazh për të marrë kreun e Komunës, LVV dhe LDK.

“Ata (LVV dhe LDK) të dyja partitë, kanë ofruar dhe shprehur interesim me u taku, por ne ende nuk kemi përgjigje për ta dhe s’janë realizuar ende takimet. Ne duhet me diskutu me kryesinë dhe degët në Gjilan dhe koordinim i plotë me partinë në qendër”, tha Rashiti për KALLXO.com.

Ai shtoi se e kupton gjendjen e dy partive për bashkëpunim të mundshëm, por duhet ta diskutojnë më partinë në nivel qendror.

“Sa i përket Gjilanit ne si PDK e dimë dhe e kemi parasysh gjendjen e dy partive që janë në garë për përkrahjen tonë, por ne si parti nuk kemi hapur ende diskutim me asnjërën nga partitë dhe jemi në vlerësim të situatës. PDK e ka strukturën, kryesinë dhe Këshillin Drejtues dhe do të vlerësojmë se cila është rruga më e mirë e PDK-së , me ndejt neutral ndaj balotazhit apo me përkrahë njërën parti”, shtoi më tej Rashiti nga PDK.

Lidhur me pretendimet e Rashitit, KALLXO.com ka kontaktuar edhe LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Arbër Ismajli, shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së në Gjilan në lidhje me deklaratat e PDK-së se kanë pasur ftesë nga kjo parti për takime tha se personalisht nuk e ka këtë informacion.

“Konsideroj që fillimisht duhet të certifikohen rezultatet nga KQZ e pastaj të flasim për tema të tilla”, tha ai.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan nuk kanë kthyer përgjigje.

PDK në zgjedhjet e 17 tetorit në Gjilan ka dalë partia e tretë më 3,438 vota apo 8,24%.

Dy partitë e para, LVV më 44,43% dhe LDK më 43,81% do të ballafaqohen në balotazh.

Zgjedhjet për kryetar të komunës janë mbajtur të dielën, më 17 tetor.

Sipas rezultateve preliminare të shpallura Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani 21 komuna do të shkojnë në balotazh. Ndërsa, 17 prej tyre deri më tani sipas rezultateve preliminare i kanë më shumë se 50 për qind të votave.