Nuredin Ibishi duke dëshmuar në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Ibishi: Opozita Kundërshtoi Isa Mustafën se e Pa më të Vogël

Nuredin Ibishi që dëshmoi në gjykimin e katër deputetëve të Vetëvendosjes për gazin lotsjellës në Kuvend, tha se deputetët e opozitës atëherë nuk e kundërshtuan Hashim Thaçin, por Isa Mustafën, ngase e panë atë më të vogël.

Prokurori e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e tij në prokurori në të cilën kishte thënë se Albin Kurti, Donika Kadaj- Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend.

Sot Ibishi tha se të gjithë të akuzuarit kanë marrë pjesë në hedhje të gazit, por shtoi se “nuk mund të deklaroj në mënyrë përshkruese se si e kanë hedhur gazin këta deputetë që i kam përmendur”.

Ibishi deklaroi më tutje se lotsjellësi e pengoi punën e Kuvendit.

“Duke e pasur parasysh betimin e deputetit dhe cilësinë e deputetit mendoj se përdorimi i gazit lotsjellës ka pengu mbarëvajtjen e seancave parlamentare”, tha Ibishi.

Ai deklaroi se marrëveshjet për demarkacionin e asociacionin është dashur të jenë më transparente.

“Mendoj se në marrëveshjet e Brukselit për demarkacionin dhe asociacionin është dashur të ketë më shumë transparenc dhe fatkeqësisht këto çështje deri në qeverinë paraprake kane kaluar në heshtje”, tha Ibishi.

Gjyqtari Shasivar Hoti e pyeti Ibishin se a janë të lejuara praktikat e bllokimit të foltores dhe mikrofonave.

“Ka praktika të ndryshme dhe te tilla të reagimit, por në Kosovë këto reagime kanë qenë në vazhdimësi edhe në rastet kur nuk kanë qenë në rend të ditës këto dy marrëveshje dhe unë nuk dua ta interpretoj kauzën e opozitës, por është i papranueshëm përdorimi i armëve në parlament”, tha Ibishi.

Pastaj ish-deputetit pyetje i shtroi i akuzuari Albin Kurti. E pyeti Ibishin se ku e bazonte deklarimin se gazi lotsjellës është armë.

“Në Ligjin për Armë, por edhe në Kodin e Procedurës por edhe në Kodin Penal”, tha Ibishi.

Në një moment Albin Kurti e Albulena Haxhiu iu tërhoq vërejtj me shkrim për rendin në seancë, pasi KUrti e Haxhiu reaguan duke thënë se pse nuk ka video-incizim të seancave nga gjykata.