Eksperti i sigurisë: Nuk kam parë tejkalim të forcës nga ana e policisë

Mes tensionesh dhe nën përcjelljen e forcave të rendit, Lulzim Hetemi, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, kryetarë të zgjedhur të tre komunave në veri të vendit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, janë vendosur sot në zyrat e objekteve komunale.

Që nga mesdita e së premtes, në katër komunat me shumicë serbe, është dëgjuar alarmi i sigurisë.

Menjëherë pas sirenave, në tre komuna, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, janë parë qytetarë serbë që kanë bllokuar hyrjet e objekteve të komunave për të pamundësuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës është angazhuar që të u siguroi hyrjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Situata e krijuar ka prodhuar tension, ndërsa sipas forcave të rendit, gjatë ndërhyrjes në Zveçan, pesë zyrtarë policorë morën lëndime të lehta, katër automjete u dëmtuan, njërës prej tyre iu vë flaka.

Gjithashtu, organet ligjzbatuese thanë se në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna nga arma e zjarrit.

E gjithë kjo situatë, sipas organeve të drejtësisë është cilësuar si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”.

Sipas Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë, ndërhyrja e policisë për të shpërndarë turmat e qytetarëve, nuk ishte e tepruar.

Sipas tij, çështja e veriut duhet të trajtohet politikisht, me ndihmën e ndërkombëtarëve.

“Unë nuk e kam pa tejkalimin e forcës, realisht. Policia mendoj që e ka kryer detyrën, sa unë e kam, nuk e ka tejkaluar forcën. A ka qenë momenti në këtë mënyrë, pa një paraprijë, në një mënyrë pak më të relaksuar, mendoj do të duhej që të shkonte në një formë tjetër, jo kështu në një formë puro-policore”

“Kjo formë e ngritë vetëm tensionin dhe lëndon raportet në një të ardhme. Është dashur më me sens që të ndodh vendosja e kryetarëve nëpër objektet komunale” – tha eksperti i sigurisë për KALLXO.com.

“Këto ngjarje mund të prodhojnë tensione të reja. Mendoj që duhet një zgjidhje politike që të shmangen tensionet, pra kjo është një çështje politike, ku ndërkombëtarët duhet të bëjnë presion më shumë” – vlerëson Nuredin Ibishi.

Ai komentoi edhe reagimin e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenie, i cili dënoi veprimet e autoriteteve kosovare.

“Ndoshta momenti, jo shumë i përshtatshëm, në kuptimin që të bëhet me kohë marrja e mandateve nga kryetarët. Forma e vendosjes së kryetarët nëpër zyre dhe objektet komunale është dashur që të ndodh me më pak prezencë të forcës, sikurse edhe Ambasadori Amerikan e tha” – tha Ibishi duke komentuar zhvillimet e sotme në veri të vendit.

Për dallim nga tri komunat, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, në Mitrovicën e veriut, komunë me shumicë serbe, situata ishte e qetë.

Në një deklarim për KALLXO.com, kryetari i zgjedhur, Erden Atiq, tha se ka dal në vendin e tij të punës, në objektin e komunës, dhe nuk ka parë ndonjë situatë të tensionuar.

Të gjitha lajmet dhe zhvillimet nga veriu i vendit, mund t’i gjeni duke klikuar në këtë LINK.

Gjendja e sigurisë në veri, flet Erden Atiq